
Protesta e 126-të kundër qeverisë u mbyll këtë mbrëmje me një thirrje të re për mobilizim. Qytetarët paralajmëruan një protestë më 13 tetor, në orën 14:00, para Ministrisë së Arsimit, duke bërë thirrje për bojkotimin e mësimit. Tubimi nisi si çdo mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, nga ku qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë. Para godinës ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, ndërsa përcollën edhe mesazhin “Nuk ka BE me Edi Ramën”.
Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë u bë thirrje edhe për ruajtjen e unitetit të protestës. Aktivistët pretenduan se përçarja e protestuesve është një nga mënyrat që përdor, sipas tyre, sistemi që kundërshtojnë. Marshimi vijoi më pas drejt rrugës së Durrësit, me ndalesa para Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Protesta e 126-të u mbyll në sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit kënduan himnin kombëtar para monumentit të Skënderbeut.