
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të hyjnë të bashkuar në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Pas disa ciklesh zgjedhore të karakterizuara nga ndarjet mes partive shqiptare, tetë subjekte politike kanë arritur marrëveshjen për të dalë me një listë të vetme, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, me Shaip Kamberin në krye.
Marrëveshja nuk erdhi rastësisht. Historia e zgjedhjeve të fundit në Serbi ka treguar se mënyra se si partitë shqiptare hyjnë në garë ka ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë e tyre parlamentare.
Në vitin 2020, për herë të parë partitë kryesore shqiptare të Luginës hynë së bashku në zgjedhje përmes listës “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Rezultati ishte historik: lista mori 26,437 vota, ose 0.82 për qind, dhe siguroi tre deputetë në parlamentin 250-vendësh të Serbisë.
Ishte hera e parë që shqiptarët e Luginës arrinin të merrnin tre mandate. Nga viti 2007 deri atëherë, përfaqësimi i tyre nuk kishte kaluar një deputet. Por bashkimi nuk zgjati.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022 partitë shqiptare u paraqitën në dy lista. Njëra mbeti pa përfaqësim, ndërsa lista ku bënte pjesë Shaip Kamberi arriti të siguronte vetëm mandatin e tij.
E njëjta tablo u përsërit në zgjedhjet e vitit 2023. Shqiptarët hynë sërish të ndarë në dy lista dhe Kamberi mbeti përsëri deputeti i vetëm shqiptar nga Lugina në parlamentin serb. Pikërisht ky precedent është në sfondin e përpjekjes së re për bashkim.
Negociatat që çuan te marrëveshja
Me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit 2026, nisi edhe përpjekja që partitë shqiptare të mos përsërisnin skenarin e dy zgjedhjeve të fundit.
Negociatat përfundimtare u zhvilluan në Prishtinë.
Më 29 shtator, në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, përfaqësuesit politikë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës arritën marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”. Takimi ishte thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në marrëveshje u përfshinë tetë subjekte: Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit, Alternativa për Ndryshim e përfaqësuar nga Visar Memeti, Partia Demokratike e Nagip Arifit, Partia Demokratike Shqiptare e Agim Sabedinit, Lëvizja e Progresit Demokratik e Shqiprim Musliut, Lëvizja për Reforma e Sami Salihut, Alternativa Liberale e Armend Aliut dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Naser Azirit.
Në takim morën pjesë edhe drejtues të institucioneve shqiptare lokale, mes tyre kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, dhe kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti. Kurti e përshkroi rezultatin e negociatave me fjalët: "Vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët.”
Marrëveshja është e rëndësishme pikërisht sepse bashkon parti që në nivelin lokal kanë konkurruar dhe janë përplasur mes tyre.
Kandidati për deputet Visar Memeti tha se bashkimi tregoi se dallimet mes tyre mund të kapërcehen kur bëhet fjalë për përfaqësimin e shqiptarëve.
“Përgjegjësia jonë është më e madhe se çdo interes individual apo partiak”, deklaroi ai pas arritjes së marrëveshjes.
Shaip Kamberi në krye të listës

Sipas marrëveshjes, renditja e kandidatëve është përcaktuar duke marrë për bazë fuqinë politike të partive, konkretisht numrin e këshilltarëve që ato kanë në kuvendet komunale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kjo e vendos Partinë për Veprim Demokratik në pozicionin e parë.
Shaip Kamberi do të jetë kandidati i parë i “Koalicionit Shqiptar”, ndërsa në vendin e dytë parashikohet Visar Memeti nga Alternativa për Ndryshim.
Për Kamberin, objektivi është që potenciali elektoral i shqiptarëve të mos humbasë më për shkak të fragmentimit politik.
“Është koha që të kemi fuqi më të madhe politike, pasi që në realitet e kemi atë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Synimi është rikthimi i një përfaqësimi me më shumë se një deputet dhe krijimi i një blloku shqiptar me peshë më të madhe në parlamentin serb.
Kurti kërkon pesë vende të garantuara
Por marrëveshja zgjedhore është shoqëruar edhe me një kërkesë politike që shkon përtej rezultatit të 25 tetorit.
Kurti ka argumentuar se shqiptarët në Serbi duhet të kenë vende të garantuara në parlament, duke e krahasuar pozitën e tyre me atë të komunitetit serb në Kosovë.
Në Kuvendin e Kosovës, 10 nga 120 mandatet janë të garantuara për komunitetin serb. Sipas Kurtit, nëse zbatohet i njëjti parim proporcional, shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do t'u takonin të paktën pesë vende të garantuara në parlamentin me 250 deputetë të Serbisë.
“Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior”, deklaroi Kurti.
Por bashkimi ka edhe një dimension më të gjerë se numri i mandateve. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja përballen prej vitesh me debate mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, pasivizimin e adresave, përdorimin e gjuhës dhe simboleve, zhvillimin ekonomik dhe largimin e popullsisë.
Pikërisht këto çështje pritet të jenë boshti mbi të cilin tetë partitë do të kërkojnë votën.
Pas viteve të ndarjeve dhe dy cikleve zgjedhore me dy lista shqiptare, sfida e parë tashmë është kapërcyer: partitë kanë rënë dakord të hyjnë në një kolonë.
Tani mbetet për t'u parë nëse bashkimi i vitit 2026 do të prodhojë në parlamentin e Serbisë një rezultat të ngjashëm me atë të vitit 2020. /Lapsi.al