
Jo vetëm futboll i luajtur dhe çështje merkatoje. Nga grumbullimi veror i Interit në Gjermani, në Donaueschingen, vijnë edhe lajme të rëndësishme për të ardhmen e afërt të klubit zikaltër. Është prezantuar një plan i madh investimesh infrastrukturore për qendrat sportive të Appiano Gentile dhe Interellos. Objektivi është modernizimi i strukturave që prej shumë vitesh nuk i ishin nënshtruar rikualifikimit, me një investim total prej rreth 100 milionë eurosh. Pinetina, në fakt, do të transformohet plotësisht brenda dy viteve, me një projekt që pritet të përfundojë deri në verën e vitit 2028. Inovatori i parë, të cilit sot i është dedikuar qendra sportive, Angelo Moratti, krijoi në vitin 1964 bazën nga ku nisën të gjitha ëndrrat e Interit dhe sot klubi ndodhet në një pikë kthese të ngjashme, natyrisht duke e krahasuar me kohët moderne.
Ndërhyrja e parë ka të bëjë me ndërtimin e një godine krejtësisht të re të dedikuar skuadrës së parë, e cila do të dorëzohet pas kthimit nga turi australian. Struktura do të përfshijë:
dhoma të reja zhveshjeje
zonë fizioterapie dhe mjekësore
zyra për stafin teknik
magazinë
zonë rikuperimi me pishinë rehabilitimi, vaska, sauna dhe banjë turke
ambiente të dedikuara për analistët
Godina është projektuar me teknologji të gjeneratës së fundit (ledwall dhe teknologji të tjera të komunikimit dixhital) dhe është ndërtuar për t’iu përgjigjur kërkesave të futbollit modern. Më pas do të rikonstruktohen godinat ekzistuese për të pritur Innovation Hub-in e ri, një departament i krijuar sezonin e kaluar që integron të dhënat, videot dhe kompetencat e specializuara për të mbështetur punën e stafeve teknike. Projekti do të përfshijë të gjitha skuadrat e klubit, nga ekipi i parë deri te sektori i të rinjve.
Në vjeshtë pritet të përfundojë edhe struktura e re për skuadrën Under 23, me dhoma të reja zhveshjeje, palestër, zonë fizioterapie, sallë video, një tribunë të re të mbuluar me ambiente hospitality dhe shërbim restoranti, si edhe, natyrisht, fushën e pestë të lojës. Talentet e reja zikaltër do ta përdorin plotësisht këtë kompleks duke nisur nga sezoni 2027-28.

Dhe nuk mbaron këtu, sepse nëse karta e prezantimit të një klubi para botës është zona mediatike, atëherë një fazë tjetër do të përfshijë godinën kryesore të Appiano Gentile, ish-selinë me restorantin e vjetër dhe sallën e konferencave, e cila do të shndërrohet në një qendër të dedikuar për mediat, sesionet fotografike dhe konferencat për shtyp, kjo e fundit me një kapacitet prej rreth 80 vendesh. Së fundi, edhe Interello, qendra sportive e dedikuar Giacinto Facchettit, do t’i nënshtrohet disa ndërhyrjeve modernizuese, me një strukturë të re për skuadrën e parë të femrave, gjithashtu të rinovuar me dhoma zhveshjeje, palestër, zonë fizioterapie dhe tribunë të mbuluar. Kjo e fundit do të përfundojë në vjeshtë. Nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e godinave, por për projektimin e një qendre sportive të aftë të evoluojë bashkë me futbollin e së ardhmes. Inovacioni, inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave dhe mbështetja psikologjike do të jenë gjithnjë e më qendrore edhe në futboll.

Dhe një aspekt themelor në vizionin e së ardhmes së Interit është pikërisht ai psikologjik. Gjatë sezonit të kaluar, zikaltërit hartuan një protokoll bashkëpunimi me “Mental Economy Training (MET)” të profesor Riccardo Ceccarelli për të zhvilluar më mirë aspektin mendor të sportistëve. Janë tashmë të shumtë atletët që kanë përfituar prej tij, mes tyre edhe numri një i botës në tenis, Jannik Sinner. Thelbësore është menaxhimi i ngarkesës mendore dhe i të gjitha aspekteve psikologjike të lidhura me performancën e sportistëve, në mënyrë që të mos ketë pasoja negative për individin. Objektivi i Interit është i qartë: të mbetet në nivelet më të larta europiane edhe përmes strukturave moderne. Sepse, për të krijuar kampionët e rinj, duhet t’u vihen në dispozicion mjetet e duhura dhe në hap me kohën. Godina e re e skuadrës së parë do të jetë funksionale menjëherë pas turit australian. Deri në sezonin 2026-27 do të përfundojnë edhe qendra e Under 23 dhe pjesa më e madhe e ndërhyrjeve. Përfundimi i të gjithë projektit është parashikuar për vitin 2028. Ky investim nuk përjashton aspak ato të dedikuara ndërhyrjeve të nevojshme në merkaton e futbollistëve. Interi i ri i Oaktree po zhvillohet në çdo drejtim dhe po ndërtohet që tani për të paraprirë të ardhmen e vet.