
“Dëgjojmë dhe lexojmë kaq shumë gjëra, por dua të them se nuk ka njerëz të mirë apo të këqij. Ka njerëz që meritojnë të vdesin dhe të tjerë që kanë të drejtë të qëllojnë." Është kjo ajo që tha partnerja e shqiptarit Gjovalin Lazrit, 36-vjeçarit të vrarë natën midis të shtunës dhe të dielës në Baldissero D'Alba, në zonën e Cuneos në Itali.
Gruaja ia besoi deklaratën avokatit të saj, i cili më pas i publikoi ato.
"Djali im nuk ka më baba dhe jam e shkatërruar nga dhimbja. E gjithë e vërteta duhet të dalë në dritë, kërkoj vetëm që drejtësia të marrë rrugën e saj", deklaroi ajo.
Zyra e Prokurorit ka identifikuar italianin Roberto Mollo, pronarin 35-vjeçar të shtëpisë së fshatit që u sulmua nga hajdutët, si të dyshuar për vdekjen e shqiptarit. Ai akuzohet për vrasje me dashje.
Rezultatet fillestare të analizës mjeko-ligjore, që ende nuk janë konfirmuar, thonë: "Viktima u godit nga një plumb i vetëm."
Gjovalin Lazri ishte 36 vjeç. Pasi u largua nga Shqipëria, ai u zhvendos në periferinë e kryeqytetit piemontez me gruan e tij, me të cilën pati një djalë. Me profesion barist, Lazri mbahet mend nga fqinjët dhe klientët si një person i qetë.
“Një familje e respektueshme, jashtëzakonisht e rezervuar. Nuk dimë shumë për ta, nuk flasin shumë, i shohim me fëmijën. Por nuk ka pasur kurrë probleme", thanë fqinjët pas tragjedisë.
"Më vjen keq, nuk e dija që po e bënte këtë [vjedhje ], më duket e çuditshme. Nuk e prisja", tha një klient i barit.
Ndërkohë, rezultatet paraprake, ende të pakonfirmuara, nga analizat fillestare mjeko-ligjore të kryera sugjerojnë se Gjovalin Lazri është goditur nga një plumb i vetëm. Specialistët do të paraqesin gjetjet e tyre brenda 60 ditësh. Për të përfunduar hetimin, i cili përfshin edhe një konsultë balistike, një inspektim në vendngjarje konsiderohet thelbësor.
Mediat italiane kanë publikuar edhe audion e telefonatës që italiani bëri në polici pas vrasjes. “Mirëmbrëma, jam Roberto Mollo. Kam pasur hajdutë në shtëpi, unë u mbrojta… njëri ka vdekur”, - ishin fjalët e 35-vjeçarit. Mollo, i cili punon si shofer kamioni, ka qëlluar 13 herë me armë ndaj personave që po tentonin vjedhjen.
“Kam pasur frikë, jam i dëshpëruar. Po më silleshin nëpër shtëpi. Unë jam i armatosur, u mbrojta. Tani është një person në tokë, nuk e di nëse ka vdekur. Ky person ishte i maskuar, ishte jashtë në oborr. E mbylla derën, por u tremba dhe qëllova”, - tha ai.
Mediat italiane shkruajnë se Lazri u gjet pranë daljes së oborrit të banesës. Ai kishte veshur një kapuç, doreza dhe mbante një elektrik dore. Gjatë kontrollit, në xhepat e tij u gjet edhe një kaçavidë, ndërsa kishte me vete rreth 2 mijë euro.
Hetuesit po verifikojnë nëse paratë mund të lidhen me grabitje të tjera. Sipas dyshimeve të para, grupi mund të ketë qenë pjesë e një bande grabitësish në lëvizje, të cilët udhëtojnë në zona të ndryshme dhe kryejnë disa vjedhje brenda së njëjtës natë. ©LAPSI.al