Flash

E bujshme, Orges Shehi ikën nga Tirana: ja çfarë ndodhi me presidentin Halili

Orges Shehi nuk do të jetë trajner i Tiranës në sezonin e ardhshëm. Palët nuk kanë arritur marrëveshjen finale dhe aventura e teknikut durrsak konsiderohet e mbyllur.

Lapsi.al 30 May 2026

Orges Shehi nuk do të jetë trajner i Tiranës në sezonin e ardhshëm. Palët nuk kanë arritur marrëveshjen finale dhe aventura e teknikut durrsak në pankinën bardheblu konsiderohet e mbyllur, pavarësisht kontakteve të fundit me presidentin Refik Halili.

Edhe pse klima pas shpëtimit të skuadrës krijoi idenë e një vazhdimësie të mundshme, divergjencat mes trajnerit dhe drejtuesve rezultuan të pakalueshme. Diskutimet kanë dështuar si në aspektin financiar, ashtu edhe në projektin sportiv për sezonin e ri.

Financat dhe merkatoja prishën raportin

Sipas asaj që filtron nga klubi, Shehi kishte kërkuar më shumë garanci për ndërtimin e skuadrës dhe një rol më të qartë në merkato. Trajneri kërkonte afrime cilësore dhe një projekt konkurrues, ndërsa klubi nuk ka garantuar investimet që ai konsideronte të domosdoshme për rikthimin e Tiranës në nivelet e larta.

Një tjetër pikë e rëndësishme e mosdakordësisë lidhej me aspektin ekonomik të kontratës. Negociatat nuk prodhuan afrimin e qëndrimeve dhe në fund palët kanë zgjedhur të ndajnë rrugët.

Shehi mori një Tiranë në krizë

Rikthimi i Orges Shehit në krye të bardhebluve ndodhi në një nga momentet më të vështira të viteve të fundit për klubin. Tirana ishte e përfshirë në luftën për mbijetesë dhe rrezikonte seriozisht rënien direkte nga Superiorja.

Në një ambient të rënduar psikologjikisht dhe me tension të madh rreth skuadrës, Shehi arriti të stabilizonte grupin dhe të rikthente ekuilibrin në javët vendimtare të kampionatit. Shpëtimi i bardhebluve në edicionin që sapo u mbyll ishte meritë vetëm e Shehit, por si ndodh te Tirana shpesh, kjo u harrua shpajt sapo mbijetesa u sigurua.

Shifrat që sollën mbijetesën

Në aventurën e tij të fundit në pankinën bardheblu, Shehi drejtoi Tiranën në 11 ndeshje, duke regjistruar 7 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Ecuria pozitive në fazën finale të kampionatit bëri që skuadra të shmangte rënien direkte dhe të siguronte mbijetesën pa kaluar në skenarët më dramatikë të sezonit.

Pikërisht në momentet me presionin më të madh, Tirana arriti të marrë rezultate të rëndësishme ndaj rivalëve direktë, duke ndryshuar plotësisht panoramën e sezonit. Pas dy humbjeve radhazi, Shehi bëri një faze të katërt model pa asnjë humbje e me vetëm dy barazime e të tjerat fitore. 21 pikë në 27 ndeshje kishte marrë Tirana në tre fazat e para të kampionatit dhe 23 pikë në nëntë ndeshje mori Shehi në fazën e katërt, duke shpëtuar bardheblutë nga rënia.

Një nga trajnerët më të rëndësishëm të “epokës Halili”

Pavarësisht ndarjes, bilanci i Orges Shehit te Tirana mbetet pozitiv. Në total, ai është një nga trajnerët më rezultativë të presidencës së Refik Halilit, duke fituar edhe titullin kampion me bardheblutë në sezonin 2021-2022.

Shehi konsiderohet si një nga trajnerët që arriti të krijojë identitet loje dhe stabilitet në klub gjatë viteve të fundit, ndaj largimi i tij shënon fundin e një cikli të rëndësishëm për Tiranën.

Tirana tani duhet të nisë nga zero

Me largimin e Shehit tashmë të vendosur, drejtuesit bardheblu pritet të intensifikojnë lëvizjet për gjetjen e trajnerit të ri. Klubi duhet të ndërtojë shpejt projektin për sezonin e ardhshëm, në një periudhë ku merkatoja dhe organizimi i fazës përgatitore kërkojnë vendime të menjëhershme.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi i radhës në karrierën e Orges Shehit, një trajner që edhe në një sezon shumë të komplikuar arriti ta mbajë Tiranën larg katastrofës sportive.

Të këshilluara

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

93.69

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI