
Atalanta Zeqiraj është caktuar gjyqtarja e seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për dosjen e ish-zëvendës kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe 27 personave të tjerë. Zeqiraj u caktua gjyqtarja paraprake përmes një shorti që u hodh në GJKKO, vetëm dy ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e dërgoi çështjen për gjykim. Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar shkelje në 10 tendera me vlerë totale rreth 400 milionë euro pa TVSH: Tuneli i Llogarasë, disa lote të Unazës së Jashtme të Tiranës, akset Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, rrugën Porto Romano në Durrës dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol.
Ish-zv.kryeministrja dhe ish-ministrja akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste, korrupsion pasiv, fshehje të pasurisë në dy raste dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ajo ka orientuar dhe ndikuar në procedurat e prokurimit për të paracaktuar dhe favorizuar kompanitë fituese. Sipas SPAK, përmes shkeljeve në procedurën e tenderit për Tunelin e Llogarasë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik prej 7.48 miliardë lekësh, ose rreth 78 milionë eurosh, nga përllogaritja e fondit limit dhe miratimi i preventivit të rishikuar me çmime dhe volume të fryra.