
Një rast me malarie është konfirmuar në Shqipëri. Pacienti është një shtetas i huaj, i cili aktualisht ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Pacienti është nën kujdesin e mjekëve, ndërsa dyshohet edhe për një rast të dytë, i cili ende nuk është konfirmuar.
Malaria është një sëmundje infektive që prej dekadash nuk ka transmetim endemik në Shqipëri. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, rastet e evidentuara në vend kanë qenë kryesisht të importuara nga persona që kanë udhëtuar në vende ku sëmundja është e përhapur. Sëmundja transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe shoqërohet me simptoma si temperaturë e lartë, të dridhura dhe dhimbje koke. Në mungesë të trajtimit në kohë, ajo mund të shkaktojë komplikacione serioze.