
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën e re fiskale, duke akuzuar qeverinë se i ka hartuar pa transparencë dhe pa konsultim me grupet e interesit. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se ndryshimet fiskale bien ndesh me Kushtetutën dhe cenojnë sigurinë juridike të bizneseve. Sipas tij, paketa është përgatitur pa respektuar afatet ligjore të konsultimit publik dhe rrezikon të ndikojë në kontratat ekzistuese, planet e biznesit dhe parashikimet financiare të kompanive.
“Përfiton një grusht njerëzish dhe ndëshkohen qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi se qeveria i ka vendosur sipërmarrësit përballë vendimeve të marra paraprakisht, ndërsa e lidhi mungesën e konsultimit me frikën e mazhorancës nga bashkimi i bizneseve me protestat e paralajmëruara. Berisha iu referua edhe kundërshtimeve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Gjermane dhe organizatave të tjera të biznesit. Sipas tij, ato kanë kërkuar tërheqjen e paketës fiskale, duke paralajmëruar pasoja për marrëveshjet dhe kontratat në fuqi.