
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 për të shqyrtuar në parim projektbuxhetin e vitit 2027 dhe Paketën Fiskale, dy nisma që kanë kaluar më parë në komisionet parlamentare. Seanca pritet të shoqërohet me debate mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa Partia Demokratike do të ketë 12 deputetë më pak në sallë për shkak të masave të përjashtimit. Mes tyre janë kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Demokratët kanë paralajmëruar votën kundër projektbuxhetit. Një ditë më parë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe konsultimi me grupet e interesit, duke pretenduar se masat e propozuara rëndojnë qytetarët dhe bizneset. Përveç projektbuxhetit, deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet fiskale që prekin tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Në rendin e ditës janë gjithashtu ndryshimet në ligjin për strehimin social dhe një projektvendim që lidhet me Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Pas votimit në parim, projektbuxheti do t'u rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të paraqitet sërish në seancë plenare për miratimin përfundimtar.