
Protestat qytetare kundër qeverisjs së Edi Ramës po tërheqin vëmendjen edhe në nivel europian.
Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së qytetarëve në Tiranë, duke e cilësuar mbrojtjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mjedisit si një kauzë me rëndësi të veçantë.
Në postimin e saj në Instagram, Paulus deklaroi se synon të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe t’i përcjellë ato në Bruksel, duke rritur presionin ndërkombëtar ndaj vendimmarrjes së qeverisë shqiptare.
"Do t’u bashkohem protestave në Tiranë të hënën në mbrëmje dhe do të vizitoj Vjosa-Nartën të martën për të parë vetë situatën në terren. Dua të dëgjoj, të kuptoj dhe t’i çoj zërat e njerëzve përsëri në Bruksel dhe në Evropë" shkruan Paulus.
Më 17 qershor, Parlamenti Europian votoi raportin mbi Shqipërinë, duke theksuar progresin e vendit në procesin e zgjerimit të BE-së, por edhe nevojën për marrjen e masave mbrojtëse mjedisore.
Për të hedhur dritë mbi thesaret natyrore të rrezikuara të Shqipërisë, një grup eurodeputetësh të grupi parlamentar të Gjelbërve/EFA-s do të vizitojnë peizazhin e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë nga 29 qershori deri më 1 korrik.
Ata kanë njoftuar se do të takohen me komunitete lokale, mbrojtës të mjedisit dhe përfaqësues të qeverisë.
Eurodeputetja Tineke Strik, raportuese në hije për raportin e Komisionit për vitin 2025 mbi Shqipërinë u shpreh: “E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Procesi i zgjerimit të BE-së duhet të shkojë krah për krah me progresin e vazhdueshëm në mbrojtje të forta mjedisore, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe transparencën. Ky raport pasqyron kryesisht këto prioritete.
“Grupi ynë ndan shqetësimet e protestuesve në lidhje me zonën e Vjosë - Nartës. Ne përfshimë me sukses në raport një thirrje që autoritetet shqiptare të ndalojnë menjëherë të gjitha ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura derisa kuadri ligjor i Shqipërisë të përputhet plotësisht me standardet evropiane mjedisore.
“Qytetarët e Shqipërisë do të vendosin për të ardhmen e vendit, jo miliarderët amerikanë që e duan Trumpin. Kjo e ardhme duhet të ndërtohet mbi mbrojtjen e thesareve të saj natyrore, jo mbi fitimet afatshkurtra në kurriz të biodiversitetit dhe komuniteteve lokale.
Protesta e flamingove tregon se qytetarët kujdesen për mbrojtjen e mjedisit dhe anëtarësimin në BE. Ne do të qëndrojmë me ta, duke mbështetur protestën e tyre kundër aleatëve të Trumpit që shfrytëzojnë trashëgiminë e tyre natyrore dhe duke mbështetur udhëtimin e tyre drejt BE-së” – tha ajo
Eurodeputetja Tineke Strik do të udhëheqë misionin në Shqipëri, e shoqëruar nga eurodeputetët Cristina Guarda, Vicent Marzà i Ibáñez, Daniel Freund, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg (Volt).
Postimi i plotë:
Vjosa-Narta është shumë më tepër sesa thjesht një deltë bregdetare.
Çështja është nëse natyra mbrohet apo detyrohet t’i lërë vendin interesave afatshkurtra të fitimit të miliarderëve. Dhe çështja është nëse rregullat demokratike dhe standardet mjedisore zbatohen edhe kur ato nuk përputhen me një model biznesi.
Njerëzit po mbrojnë jo vetëm natyrën, por edhe demokracinë dhe sundimin e ligjit – dhe po e bëjnë këtë me një guxim dhe vendosmëri mbresëlënëse.
Do t’u bashkohem protestave në Tiranë të hënën në mbrëmje dhe do të vizitoj Vjosa-Nartën të martën për të parë vetë situatën në terren. Dua të dëgjoj, të kuptoj dhe t’i çoj zërat e njerëzve përsëri në Bruksel dhe në Evropë.
Sepse pasi një habitat shkatërrohet, ai nuk mund të restaurohet thjesht. Kjo është arsyeja pse na duhet vëmendje, standarde të qarta dhe vullnet politik për t’i zbatuar ato.
Pra, unë jam në solidaritet me të gjithë ata që dalin në rrugë për Vjosa-Nartën dhe të ardhmen e saj.
