
Kuvendi pritet të ketë sot një ditë të ngarkuar si brenda, ashtu edhe jashtë sallës. Teksa deputetët mblidhen në seancë plenare, me dy ministra të thirrur në interpelancë dhe disa projektligje në rend dite, para Parlamentit qytetarët kanë paralajmëruar rikthimin e protestës kundër qeverisë.
Në sallë, vëmendja do të jetë te dy interpelancat e kërkuara nga opozita. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, do të pyetet për 102 kontejnerët me rreth 2,816 tonë mbetje të klasifikuara si të rrezikshme dhe toksike, që ndodhen në periferi të Durrësit. Në interpelancën e dytë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, do të japë shpjegime për situatën në kopshte dhe çerdhe. Opozita ngre shqetësimin për mbingarkesën e kapaciteteve, që sipas saj arrin deri në 70 fëmijë, si dhe për zhvillimin e mësimit me dy turne në shkollat e Sarandës.
Ndërsa brenda zhvillohen debatet parlamentare, jashtë pritet të dëgjohen sërish thirrjet kundër qeverisë. Në protestën e një nate më parë, qytetarët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e ligjeve që kundërshtojnë.