
Përfundon në barazimin 1-1 ndeshja e parë mes Aluminij dhe Dinamos, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Conference League. Një sfidë e luajtur në stadiumin e Mariborit, ku skuadra e Ilir Dajës tregoi karakter dhe dominim, por dështoi të shfrytëzonte plotësisht epërsinë e krijuar dhe rastet e shumta për gol. Blutë e kryeqytetit e nisën furishëm takimin, duke marrë epërsinë që në minutën e 15'. Ishte sulmuesi Hekuran Berisha ai që shfrytëzoi në mënyrë perfekte një gabim në prapavijën sllovene, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke ndezur shpresat e tifozëve dinamovitë.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Eridon Qardaku provoi nga një goditje dënimi, por pa arritur të kërcënonte seriozisht portën e Raduhas. Pjesa e dytë nisi me një ndërprerje të papritur, për shkak të kushteve atmosferike të vështira, duke detyruar skuadrat të largoheshin për pak minuta nga fusha e lojës. Pas rikthimit në fushë, Dinamo vijoi me presionin dhe kërkimin e golit të dytë. Qardaku ishte sërish protagonist në minutën e 70', por fati nuk ishte me të, pasi goditja e tij u ndal nga shtylla. Një minutë më vonë, Fabjan Përdreca tentoi të provonte, por topi përfundoi sërish larg katërkëndëshit. Këto raste të humbura rezultuan fatale, duke vulosur thënien e vjetër të futbollit: "kur nuk shënon, do të pësosh".
Dhe ashtu ndodhi. Në minutën e 83', ishte mesfushori i sllovenëve, Vrbaneck, ai që gjeti rrugën e rrjetës, duke baraspeshuar shifrat në 1-1. Pak minuta para bilbilit final, Isi Manellari pati një shans të artë për të shënuar golin e dytë dhe për t'i dhënë fitoren Dinamos, por e shpërdoroi atë, duke lënë sfidën të mbyllej në barazim. Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit për shanset e shumta të humbura, ky barazim 1-1 në transfertë i jep Dinamos ende shpresë reale për kualifikim. Skuadra e Ilir Dajës do të duhet të shfrytëzojë avantazhin e fushës në takimin e kthimit për të siguruar kalimin në fazën tjetër të Conference League, një objektiv që duket plotësisht i arritshëm me një paraqitje më efikase.