Flash

Brazili e thirri për Botërorin, Ederson ishte në dasmën e një miku: nuk kishte asgjë me vete

Natën para se të merrte telefonatën nga Federata Braziliane, Ederson ndodhej në festën e dasmës së një miku në Brazil.

Lapsi.al 8 June 2026

Brazili u detyrua të ndryshojë listën për Botërorin 2026 në momentet e fundit pas dëmtimit të pësuar në miqësore nga Wesley. Trajneri Carlo Ancelotti, pasi kuptoi se anësori i Romës nuk do të rikuperohej në kohë për fillimin e turneut, vendosi ta përjashtojë nga lista dhe të thërrasë në vend të tij Ederson të Atalantës.

Një grumbullim surprizë për mesfushorin, i cili sipas ESPN, në momentin e telefonatës nuk ishte aspak gati për t’u nisur drejt Shteteve të Bashkuara. I bindur se mundësitë e tij për të shkuar në Botëror kishin marrë fund për atë sezon, mesfushori kishte vendosur të kalonte disa ditë pushimi në vendlindje. Natën para se të merrte telefonatën nga Federata Braziliane, lojtari ndodhej në festën e dasmës së një miku në Brazil.

Dasma e Romulos, mesfushorit që kishte luajtur me të te Cruzeiro dhe më pas kishte kaluar te Juventude, Athletic Bilbao dhe Internacional, i kishte larguar nga mendja zhgënjimin e vogël për mosgrumbullimin me Brazilin. Por ndërsa po festonte në Campo Grande, kryeqytetin e Mato Grosso do Sul, gjatë miqësores së Seleçaos kundër Egjiptit, Ederson u telefonua për të zëvendësuar Wesley e dëmtuar. Por ai nuk ishte aspak gati - Gruaja e Edersonit publikoi foton e rrobave të blera me nxitim për t’i mundësuar bashkëshortit të nisej drejt Shteteve të Bashkuara.

Duke pasur parasysh se kishte planifikuar vetëm disa ditë pushimi brenda vendit, Ederson kishte lënë pasaportën në shtëpi, në një qytet tjetër, pasi nuk mendonte se do t’i duhej së shpejti. Kështu, pasi mori telefonatën urgjente nga Ancelotti, nisi paniku organizativ për të arritur fluturimin drejt Nju Jorkut në kohë. Miqtë e tij u detyruan të nxitonin për të marrë pasaportën në qytetin ku e kishte lënë dhe t’ia dërgonin urgjentisht në San Paolo, ndërsa bashkëshortja e tij u mor me përgatitjen e valixheve dhe blerjen me nxitim të disa rrobave për udhëtimin. Pavarësisht këtij problemi të pabesueshëm logjistik të shkaktuar nga thirrja krejtësisht e papritur, gara me kohën pati sukses. Ederson mori pasaportën, fluturoi drejt SHBA-së dhe iu bashkua normalisht grupit të kombëtares braziliane. 

Gjithçka ndodhi të dielën në mëngjes, kur Ederson u zgjua nga një seri telefonatash të stafit të Federatës Braziliane, të cilët e njoftuan se ishte zgjedhur nga Ancelotti dhe se duhej të merrte një avion për në SHBA sa më shpejt të ishte e mundur. Bileta, natyrisht, iu dërgua nga vetë Federata. Ederson nuk u besonte veshëve dhe ndërkohë e gjithë familja u emocionua duke parë 26-vjeçarin të realizonte ëndrrën e tij. Mesfushori mbërriti këtë mëngjes në qendrën sportive të Brazilit në Morristown, gati për debutimin në turne, që do të vijë të shtunën më 13 kundër Marokut.

Të këshilluara

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

93.69

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI