
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar ashpër kundër aktit normativ për tubimet të propozuar nga qeveria. Zhupa i cilësoi pretendimet e mazhorancës si “përralla”, ndërsa solli në vëmendje vlerësimin e eurodeputetit Marco Tarquinio për përplasjet gjatë tubimeve.
Ajo u shpreh se shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, përveçse të dalin në rrugë për të kërkuar lirinë e tyre.
“Jeni në kufijtë e një përralle. Si ka mundësi që, pavarësisht gjithë këtij reagimi që ka edhe Parlamenti Evropian, zotit Balla i intereson të çojë ndërkohë eurodeputetët? Do të citoj Tarquinin: ‘Dhuna nisi nga policia dhe më pas iu përgjigjën protestuesit’. Këtë e tha eurodeputeti, sepse pa atë që pa çdo shqiptar dhe e gjithë Evropa sesi policia i kaloi të gjithë kufijtë dhe dhunoi protestuesit.
Si ka mundësi që nuk keni asnjë polic të vetëm të dënuar apo të arrestuar? Ende nuk dihet se kush ia nxori syrin Erionit, kush ia theu këmbën Lorencit dhe kush e lidhi Klevin pas kangjellave. Ju i mbroni, sepse keni krijuar bandën e policisë. Këtë e provon edhe ministri i Brendshëm, të cilin për sjellje heroike e emëroni drejtues politik në Tiranë, me pretendimin se do ta kandidoni për bashkinë e kryeqytetit.
Shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, përveçse të dalin në rrugë dhe t’ju qëndrojnë përballë për të kërkuar lirinë e tyre. Më 28 nëntor, të gjithë në shesh, të bashkuar”, tha Zhupa.