Flash

Lufta në Lindjen e Mesme mund të shpëtojë turizmin në Shqipëri

Lapsi.al 24 March 2026
Lufta në Lindjen e Mesme mund të shpëtojë turizmin në

Nënë e bijë nga Danimarka zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë pasi plani i tyre për të udhëtuar drejt Jordanisë u prish nga konflikti në Lindjen e Mesme mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

“Po qëndrojmë në Durrës. Është dita jonë e katërt dhe gjithsej do të qëndrojmë 12 ditë. Kemi prenotuar ture të ndryshme në moment të fundit, pasi planet tona fillestare ishin të shkonim në Jordani,” – tregon May Brit Vinther nga Danimarka.

Teksa turizmi në vend nisi dobët këtë janar, me hyrjet e shtetasve të huaj që ranë për herë të parë nga pandemia, duket se “shpëtimi” po vjen pikërisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme, që ka çuar në shumë anulime prenotimesh dhe rishikime të planeve të europianë drejt vendeve më të afërta e më të qeta.

Tomasz Mayka, së bashku me partneren e tij Klaudia, kishin planifikuar që pushimet e marsit t’i kalonin në Iran, por një ditë para nisjes së tyre shpërtheu konflikti në Lindjen e Mesme. Çifti nga Polonia, gjeti Shqipërinë si alternativën më të mirë, edhe për shkak të biletave më të lira në moment të fundit.

“Jemi të lumtur që mundëm të gjenim bileta në minutën e fundit për në Shqipëri. Nuk e kishim vizituar më parë dhe tani jo vetëm po eksplorojmë këtë vend, por edhe shtete të tjera si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Deri tani, Shqipëria është e preferuara jonë. E kishim në plan ta vizitonim, por jo tani. Ja që fati e deshi kështu.”

Joane Mellis nga Mbretëria e Bashkuar kishte në plan të vizitonte Dubain, por lufta bëri që të anuloheshin të gjitha fluturimet.

“Biletat e minutës së fundit nga Londra për në Shqipëri ishin shumë të lira. E di që nuk është Dubai, por mendoj se është më mirë këtu. Jemi të surprizuar se sa ndryshe është Shqipëria nga ç’na e kishin përshkruar. Njerëzit janë miqësorë, çmimet janë shumë të lira dhe kompensimi nga siguracioni i udhëtimit do të mbulojë të gjithë shpenzimin këtu në Shqipëri. Në një farë mënyre, po bëjmë një udhëtim falas nga e gjithë kjo situatë.”

Në janar, në vend hynë 552 mijë shtetas të huaj, me rënie prej 1.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është hera e parë që hyrjet e turistëve po vijnë me rënie në janar, që nga periudha e pandemisë. Për krahasim, në janar 2025, hyrjet e të huajve u rritën me 14.5%, ndërsa në 2024-n zgjerimi ishte gati 30%.

Gjithsesi operatorët turistikë presin që turizmi të regjistrojë edhe këtë vit një rritje në numrin e vizitorëve të huaj, edhe pse janari nisi dobët nën ndikimin e motit të pafavorshëm.

Pritshmëritë për vitin 2026 parashikojnë një rritje prej 5-10% të vizitorëve, një shifër që përputhet me trendin e kontratave të turizmit të organizuar dhe ofron një panoramë të qartë të asaj që mund të presim këtë vit. Kjo rritje modeste shihet me optimizëm, por edhe me pasiguri, pasi ekziston frika se pritshmëritë e turistëve mund të mos përmbushen për shkak të problemeve më elementare e deri te shërbimi.

Kriza në Lindjen e Mesme po reflektohet menjëherë në industrinë globale të turizmit, duke sjellë një valë anulimesh dhe rishikimesh të planeve të udhëtimit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe operatorëve turistikë, shumë udhëtarë po shmangin destinacionet pranë zonave të konfliktit, ndërsa linjat ajrore kanë reduktuar ose devijuar fluturimet për të shmangur hapësirat ajrore të rrezikuara. Kjo ka çuar në zgjatje të itinerareve, rritje të kostove dhe çmime më të larta të biletave.

Agjencitë turistike raportojnë se rezervimet drejt Lindjes së Mesme dhe disa destinacioneve të Azisë janë në rënie, ndërsa turistët po orientohen drejt alternativave më të sigurta në Europë dhe rajone të tjera. Pasiguria gjeopolitike, e kombinuar me rritjen e çmimeve të karburanteve, po e bën turizmin më të kushtueshëm dhe më të paparashikueshëm, duke ndikuar jo vetëm në destinacionet e prekura drejtpërdrejt, por në gjithë tregun global të udhëtimeve./Monitor.al

Të këshilluara

Parashikimi i motit për këtë të martë

Gjatë ditës së sotme priten reshje të dobëta shiu në të gjitha qarqet. Në zonat lindore dhe juglindore, në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet...

08:00

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

92.85

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI