Cher dhe Kristen Bell kanë reflektuar mbi përvojën e tyre të trazuar gjatë xhirimeve të filmit “Burlesque” (2010), teksa u ribashkuan në episodin e së hënës të podcast-it “Armchair Expert”, i drejtuar nga bashkëshorti i Bell, Dax Shepard.
“Mund të kishte qenë një film shumë i mirë dhe argëtues — përveç… e dini ju kujt,” u shpreh Cher gjatë podcast-it. “Përveç të dyve.”
Këngëtarja e hitit “Believe” sqaroi se nuk po fliste për asnjë nga aktorët, ndërsa Kristen Bell, 45 vjeç, shtoi shkurt: “Ishte një xhirim i vështirë.”
Dax Shepard, 51 vjeç, vendosi të jepte më shumë kontekst për situatën në sheshxhirim, duke zbuluar se tensionet lidhen me një marrëdhënie romantike mes personash në poste shumë të larta të produksionit.
“Po zhvillohej një marrëdhënie romantike mes njerëzish shumë të fuqishëm dhe ajo po shfaqej vazhdimisht në sheshxhirim, në mënyrë dramatike dhe shpërthyese,” shpjegoi Shepard.
Cher shtoi gjithashtu se kishte edhe një tjetër element problematik, për të cilin nuk mund të fliste publikisht.Artistja legjendare pretendoi se një drejtues mashkull kishte thënë në atë kohë: “Po e heq atë këngë sepse nuk dua që Cher të ma shkatërrojë filmin.” Kristen Bell reagoi e habitur: “Këtë nuk e mbaj mend.”
Megjithatë, ajo pranoi se atmosfera ishte shpesh kaotike:
“Mënyra ime për t’u përballur me situata dramatike është të gjej dikë, të kapemi për dore në një cep dhe të qeshim me gjithçka. Ose isha me Cher, ose me Stanley Tucci.”
Filmi “Burlesque”, i shkruar dhe drejtuar nga Steven Antin, kishte në role kryesore Cher, Kristen Bell, Christina Aguilera, Stanley Tucci, Julianne Hough, Alan Cumming, Cam Gigandet dhe Peter Gallagher.
Në kohën e publikimit të filmit, raportime të shumta mediatike pretendonin se marrëdhënia romantike mes Antin dhe presidentit të Screen Gems, Clint Culpepper, kishte krijuar tensione serioze në sheshxhirim. Sipas The Hollywood Reporter, përplasjet mes tyre ishin aq të ashpra sa ndodhnin edhe para kastit dhe stafit.
Në një incident të raportuar, Culpepper thuhet se i hodhi Antin-it çaj të ftohtë mbi kokë, duke e detyruar regjisorin të rrëzohej mbi një raft rrobash. Thuhet gjithashtu se Cher ndërhyri duke i thënë Culpepper-it:
“Clint, do të doja një sheshxhirim më të qetë.”
Sipas burimeve, Christina Aguilera ishte aq e tronditur sa iu drejtua menaxherit të saj, Irving Azoff, i cili i tha Culpepper-it:
“Ajo vjen nga një fëmijëri e abuzuar… nuk mund të bërtasësh kështu.”
Antin dhe Culpepper u ndanë pak kohë pas daljes së filmit.
Pavarësisht dramave, “Burlesque” rezultoi një sukses komercial, duke arkëtuar gati 100 milionë dollarë në mbarë botën dhe duke fituar Golden Globe për Këngën Origjinale më të Mirë, falë interpretimit të Cher në “You Haven’t Seen the Last of Me.”