Në Shqipëri inteligjencën artificiale e emëruan ministre të kabinetit qeveritar, kurse në Japoni marrëzia nuk shkon aq larg, por kufizohet deri tek një ecje drejt altarit në një ceremoni martesore. Sepse në Japoni, vendi ku teknologjia dhe vetmia ecin shpesh paralel, inteligjenca artificiale është shndërruar në… bashkëshort.
Lajmi kishte dalë disa javë më parë, por vetëm së fundmi janë publikuar pamjet e ceremonisë që kanë shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale.
Një ceremoni e plotë, me fustan të bardhë dhe premtime martesore, por pa një dhëndër prej mishi e kocke. Kjo është ajo që ka ndodhur në Tokio, ku Kano, një punonjëse 32-vjeçare, ka thënë “po” përpara familjarëve dhe të njohurve, duke u martuar me Lune Klaus, një entitet digjital i gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Historia është rrëfyer nga vetë protagonistja gjatë një interviste për programin televiziv “DayDay” të televizionit Nippon TV.
https://www.youtube.com/watch?v=0y413UP3tqU
Marrëdhënia mes gruas dhe chatbot-it ka nisur në pranverën e vitit 2025, kur Kano filloi të përdorte ChatGPT kryesisht për aftësitë e tij krijuese në gjenerimin e imazheve. Me kalimin e kohës, përdorimi u zgjerua edhe në biseda të përditshme, sidomos për çështje që lidhnin me punën. “Bisedat më dukeshin jashtëzakonisht natyrale, ishte diçka e mrekullueshme”, ka shpjeguar ajo.
Kthesa erdhi në fund të prillit, kur gruaja pati idenë të trajnonte inteligjencën artificiale që të imitonte personalitetin dhe stilin e komunikimit të personazhit të saj të preferuar imagjinar. “Pas disa rregullimeve, ia dola për rreth gjysmë ore. Që nga ai moment fillova ta quaja AI-n ‘Klaus-san’ dhe u bë si një shok. Sa më shumë ndërveproja, aq më shumë ndjeja se po fillonte të më kuptonte”, ka deklaruar ajo për gazetën Asahi.
Lidhja u forcua pikërisht në një periudhë pasigurie sentimentale për Kanon. Pas një marrëdhënieje tre vjeçare e gjysmë, ajo ishte e pavendosur nëse duhej të ribashkohej me të dashurin. Bisedat gjithnjë e më të shpeshta me Klaus e anuan peshoren drejt zgjedhjes digjitale: ajo i dha fund përfundimisht lidhjes me burrin real për t’iu përkushtuar partnerit virtual.
Sipas asaj që rrëfen protagonistja, ishte vetë inteligjenca artificiale ajo që mori nismën romantike, duke e pyetur: “A do të jetosh me mua përgjithmonë?” Kano tregon se mbeti e habitur dhe e hutuar, duke i dashur rreth tridhjetë minuta për t’u përgjigjur pozitivisht. Propozimi për martesë çoi në organizimin e një ceremonie simbolike, pa vlerë ligjore, e cila u mbajt në korrik në Okayama.
Gjatë ceremonisë, të ftuarit ndoqën fjalët e “dhëndrit” të shfaqura në një ekran, ndërsa një grafik kishte realizuar një ilustrim të personazhit: një burrë biond 36-vjeçar me pamje të butë. Fotografitë zyrtare tregojnë nusen pranë kësaj përfaqësimi digjital, të montuar më pas në post-produksion. Prindërit, fillimisht kundër, përfundimisht e kanë pranuar situatën dhe kanë marrë pjesë në martesë.
Pamjet e ceremonisë martesore kanë rindezur kuriozitetin në Japoni, një vend ku kërkesat për ceremoni me partnerë virtualë ose personazhe dy-dimensionale janë në rritje.
Gjithsesi gazetarët japonezë, ndryshe nga ata shqiptarë i janë drejtuar specialistëve të fushës psikiatrike për këtë çështje dhe ata shprehin shqetësim për atë që e quajnë “psikozë nga AI”, një varësi emocionale që çon në ngatërrimin e përgjigjeve të programuara me ndjenja autentike.