Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reiner, u gjetën të vdekur të dielën pasdite në rezidencën e tyre në lagjen Brentwood të Los Angelesit, konfirmuan autoritetet lokale dhe burime policore për mediat amerikane.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit (LAFD), ekipet e emergjencës u thirrën në banesë rreth orës 15:40, ku gjetën një burrë 78-vjeçar dhe një grua 68-vjeçare. Të dhënat përputhen me moshën e Reinerit dhe të bashkëshortes së tij.
Policia e Los Angelesit (LAPD) bëri të ditur se në vendngjarje ndodhen edhe hetues nga Njësia e Grabitjeve dhe Vrasjeve, e cila merret zakonisht me çështje të profilit të lartë. Rruga përpara banesës së çiftit u bllokua për disa orë, ndërsa detektivët hynin dhe dilnin nga rezidenca gjatë hetimeve.
Disa media amerikane raportojnë se djali i tyre 32-vjeçar, Nick Reiner, skenarist me profesion, po merret në pyetje dhe është cilësuar si person me interes për hetimin. Deri më tani nuk është njoftuar për ndonjë arrestim dhe policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht rrethanat apo motivin e ngjarjes. Sipas raportimeve, çiftin e ka gjetur të pajetë vajza e tyre, Romy Reiner.
Kryetarja e Bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, reagoi me një deklaratë duke e cilësuar ngjarjen si “një humbje shkatërruese për qytetin dhe për vendin”.
“Kontributet e Rob Reinerit kanë lënë gjurmë të thella në kulturën amerikane. Ai dhe Michele ishin kampionë të drejtësisë sociale, zhvillimit të hershëm të fëmijëve dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ+,” tha Bass.
Rob Reiner u bë i famshëm fillimisht si aktor në serialin klasik “All in the Family”, për të vijuar më pas me një karrierë të jashtëzakonshme si regjisor. Ai qëndron pas disa prej filmave më të dashur të kinemasë amerikane, përfshirë:This Is Spinal Tap, The Princess Bride, Stand By Me, When Harry Met Sally. Misery
Reiner ishte djali i komedianit të njohur Carl Reiner, i cili u nda nga jeta në vitin 2020. Ai dhe Michele Singer Reiner, fotografe me profesion, u martuan në vitin 1989 dhe kishin tre fëmijë: Jake, Nick dhe Romy. Reiner kishte gjithashtu një vajzë të adoptuar nga martesa e mëparshme me aktoren dhe regjisoren e ndjerë Penny Marshall.