Flash

Si shkoi fati i mercenarëve që Rama i rrëmbeu LSI-së

Lapsi.al 18 August 2025
Si shkoi fati i mercenarëve që Rama i rrëmbeu LSI-së

Dy ditë më parë u dha lajmi se SPAK mori në pyetje, për mbi tre orë, ish deputetin e PS-së, Alqi Bllako, që Rama i'a rrëmbeu LSI-së, në kuadër të hetimit që po bën për Eko Parkun në Durrës. Ky është një tjetër skandal i kësaj qeverie, e cila, gjoja me pretekstin e tërmetit, anulloi një garë të hapur me tender në vitin 2019 dhe pak ditë më pas e dha pa garë ndërtimin e parkut që do të ngrihej mbi landfillin e Porto Romanos.

SPAK merr në pyetje më shumë se 3 orë ish-deputetin socialist, Alqi Bllako

Por, interesantja në këtë pikë nuk janë vetëm dyshimet për korrupsion. As fakti se për çdo vjedhje që është bërë në këtë vend SPAK-u shkon tek i ngrati Alqi Bllako, i cili deri më tani ka dy dënime për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit dhe po hetohet edhe për atë të Tiranës.

E bukuara është se Bllako, një ish ushtar i LSI-së, sekretar në ministrinë e Lefter Kokës, sekretar i Përgjithshëm i presidencës në kohën e Metës, e braktisi partinë mëmë se i besoi më shumë Edi Ramës. Dhe vetëm pak kohë më pas, kur sapo qe bërë deputet i socialistëve në zgjedhjet e 2021, përfundoi në burg. Prezenca e tij në kuvend zgjati nga shtatori i këtij viti deri në mars 2022 kur deputetët e PS, votuan pro burgosjes së tij të kërkuar nga SPAK.

Megjithëse i zhgënjyer, ai tentoi të arratisej jashtë, por një premtim i panjohur e ktheu në vend dhe e detyroi të pranojë qelinë, ku gjendet edhe sot pas tre vitesh.

Por ky nuk është i vetmi tradhëtar i Metës, që e ka pësuar keq nga kalimi tek Edi Rama. Ish shefi i tij, Lefter Koka ka ndjekur pak a shumë të njëjtën trajekrore. Sapo u bë deputet i PS në 2021, duke i dhënë fitoren Ramës në Durrës, ai u detyrya të japë dorëheqjen. Në tekstin e këtij hapi të papritur politik, të cilin dukej qartë se nuk e kishte shkruar vetë, ai shprehej: se “…është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël”, duke pretenduar se po i linte vendin brezit të ri. Por, pak muaj pasi la mandatin ai përfundoi në pranga. Vëllai i tij në një deklaratë publike pohoi se dorëheqjen ia kishte kërkuar Rama, në këmbim të paprekshmërisë nga drejtësia duke thënë se kryeministri e pati mashtruar.

Historia/ Si e përdori Rama limonin e shtrydhur Lefter Koka

Nuk dihet sa i vërtetë është ky pohim pa dëshmitarë por fakti ngelet se prej tre vitesh Lefter Koka gjendet në burg, si fajtori më i madh deri më tani për ngritjen e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit dhe si i hetuari kryesor për atë të Tiranës.

Në rrugën e vet drejt konvertimit në ramist Lefter Koka tërhoqi edhe Nasip Naçon. Ish ministrin e drejtësisë të kabinetit Rama 1, pasi e joshën fort siç e panë të gjithë në videon e famshme kur Edi dhe Teri, nën avujt e alkoolit i thonin të bashkohej me ta, iu bashkëngjit PS në qarkun e Beratit. Ndryshe nga Koka, ai nuk pati fatin e keq të burgut, por u përdor si limon i shtrydhur vetëm për një mandat. Pasi ia mori LSI-së, Rama nuk e kandidoi më në 2025-ën. Askush nuk ia njohu sakrificën dhe shërbimin. Pak muaj para zgjedhjeve të 2021-shit, Nasip Naço njoftoi largimin e tij nga LSI, duke e konsideruar si "eksperiment politik". Madje ai tërhoqi me vete edhe deputetin tjetër të Beratit, Gledion Rehovica. Ky i fundit, nën ndikimin e Naços, përmes një mesazhi në janar 2021 njoftoi se kishte vendosur të largohet nga LSI pasi “eksperimenti i LSI-së ka përfunduar”. “LSI një klub në Tiranë që mbush televizionet me sharje. Eksperimenti i LSI-së ka mbaruar. Berati ka nevojë për progres. Tek LSI nuk kam vajtur me tender e nuk po iki me tender tek PS”, tha para zgjedheve 2021 Rehovica.

Nasip Naço si përmban emocionet pas largimit nga LSI-ja: Jam me fat që jam me Ramën

Aventura e Naços zgjati vetëm katër vite. Kur e morri vesh që ajo mbaroi ai deklaroi me pezëm: Unë ia kam kthyer borxhin PS-së, kisha marrë një mandat në 2009, 2013 dhe 2017. Ia ktheva në 2021. As s’i kam borxh, as më kanë borxh. Tani jam qytetar i lirë".

Deputeti tjetër Agron Çela e braktisi Ilir Metën në kushte të ndryshme. Ai i ndejti besnik LSI së Kryemadhit edhe në zgjedhjet e 2021, kur dezertuan, Koka, Naço, Bllako. Madje e fitoi mandatin në Shkodër, por më pas nuk i rezistoi tundimit për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, atëherë kur bateritë e pushtetit u fokusuan në marrjen e bashkisë nga Benet Beci.

Pse nuk u hetuan Agron Çela, Nasip Naço dhe Vangjel Tavo?

Që në dhjetor, para fillimit të fushatës, Çela u pa në një foto të përzemërt me Becin dhe Elisa Spiropalin. Më pas ai konvertoi në rilindas dhe kreun lokal të partisë së Lirisë, Edmond Ndou. Pasi u shfaq në Shkodër në krah të Ramës, deputeti, që u bë meme me kërcimin përkrah Elisës, lëshoi thirrje se "duhet t’i japim shansin PS-së që të drejtojë bashkinë në Shkodër pas 30 viteve të drejtimit të PD-së".

Ndryshe nga kolegët e tij që kishin braktisur partinë duke pëshpëritur nën zë kundër drejtimit të Monikës, Çela po e linte atë pasi në krye ishte rikthyer Ilir Meta. E ndonëse ky i fundit deklaronte se me Çelën nuk humbëm asgjë, sepse iku "një biznesmen që s' kish folur kurrë kundër qeverisë", kjo gjë tregonte se efekti korruptiv dhe shantazhues i pushtetit qe bërë i papërballueshëm.

Gjithësesi, pavarësisht shërbimeve, Çela nuk figuroi më në listën e PS për Shkodrën në 2025. Nderi që iu bë atij qe se në listë u zëvendësua nga e bija, Xhenis Çela.

Po një garë lokale, këtë herë e pjesshme, u bë shkak që një tjetër LSI-st, të cilin Rama e pati luftuar pa mëshirë, të detyrohej ti thoshte kryeministrit "babë". I futur në betejë me Athinën, pas vjedhjes së bashkisë Himarë dhe burgosjes së fituesit të saj Fredi Beleri, Ramës i duhej të korruptonte me doemos një personazh që të qe edhe opozitar edhe minoritar. E këto kushte i përmbushte vetëm ish deputeti i LSI-së për Gjirokastrën deri në 2021-shin, Vangjel Tavo.

Lëvizje për Himarën? Rama emëron Vangjel Tavon prefekt të Vlorës

Ndonëse e pati zbuar Vangjel Tavon dhe kolegët e tij, në vitin 2017, me pretekstin, se ata e donin pushtetin për tepsinë dhe tavën e të mirave që ofronte. Ndonëse mbylli kufirin katër vite më pas, me justifikim kovidin, që ta privonte atë nga mandati i deputetit, duke penguar ardhjen e minoritarëve për të votuar, Rama vendosi të bëje paqe me të duke i dhuruar në verën e 2024, bashkinë e Himarës. Jo nga dashuria, por nga halli, ai e bëri atë të vetmin ish LSI-st, tradhëtar të Metës, që mban sot një post në hierarkinë rilindase.

Një qokë më e vogël i'u bë edhe tradhëtarit të fundit, Endrit Brahimmlarit. Ish sekretari i përgjithshëm i LSI-së, mori sipas peshës së tij, një vend jo fitues në listën e Tiranës, në zgjedhjet e qershorit, duke u bërë njëri prej të shumtëve që ikja nga partia mëmë, ia prishi karierën politike, ndonëse edhe kaq është shumë më mirë se fati i Kokës apo Bllakos.

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI