Nga janari deri në gusht 2025, Shqipëria ka humbur mbi 50 mijë hektarë tokë dhe pyje nga zjarret, më shumë se në gjithë vitin e kaluar, kur u dogjën 46,600 hektarë. Të dhënat e para u publikuan nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) dhe deri më tani rezulton se ky është një nga vitet më të rënda në dy dekadat e fundit, pas rekordit të vitit 2007 (127 mijë ha) dhe vitit 2011 (54 mijë ha). Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë herë shumë vatra dyshohen të jenë të qëllimshme, por në anën tjetër duhet thënë se të dehur nga mandati i katërt, pushteti nuk pati as plan dhe as kapacitete për të përballuar furinë e zjarrit. Tragjikisht, jeta e një njeriu u humb në Gramsh.
Monitor raportoi këtë të enjte edhe mungesën sistematike të pajisjeve dhe të zjarrfikësve në të gjithë vendin, një fakt që ishte raportuar rregullisht nga ankesat e qytetarëve në media. Ligji kërkon një zjarrfikës për çdo 1,500-2,000 banorë dhe të paktën 14 zjarrfikës për stacion. Por Shqipëria ka mesatarisht vetëm 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë dhe 0.9 automjete për 10,000 banorë, pra 25% më pak se standardi minimal.
Në anën tjetër, konstatohet se jo vetëm numri i zjarrfikësve është nën nivelin ligjor, por edhe infrastruktura është e vjetruar dhe pajisjet moderne mungojnë. Në shumë zona të rrezikshme, zjarrfikësit janë filmuar teksa luftojnë me mjete të kohës së qepës, ata mbajnë në duar lopata ose bidona me ujë, ndërsa pas punës janë të detyruar të shtrihen në rrugë të rraskapitur, siç tregon një foto nga Delvina që bëri xhiron e rrjeteve sociale.
[caption id="attachment_1021051" align="alignnone" width="1380"]
Zjarrfikësit në Delvinë pas luftës me flakët[/caption]
Në Delvinë e Gramsh, është dashur të fluturojnë helikopterë vendas e të huaj për të mbajtur nën kontroll vatrat e flakëve, ndërsa Banka Botërore paralajmëron se vendi nuk ka kapacitete as për zonat e largëta, nga mungesa e pajisjeve elementare si kamerat termike.
Në vend që të reflektojë për dështimin e radhës, kur po numëron vitin e 12 në pushtet, kryeministri Edi Rama i cili po qëndron prej disa ditësh në vilën e tij Dhërmi, gjeti kohë të merret me kritikët. “…me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes…” shkruajti Rama në një status herët në mëngjes, i shqetësuar për gazetarët që i kujtojnë premtimet e pambajtura.
Mënyra se si përgjigjet është ajo e arrogancës dhe shurdhërisë së një pushteti që shqetësohet më shumë për propagandën se sa për shtëpitë e djegura të banorëve të fshatrave, sidomos kur kujton gushtin e 2012-s, kur Edi Rama ishte në opozitë dhe sulmonte Sali Berishën me fjalët “Shqipëria digjet, kryeministri krihet!”.
Deklaratat që Rama i ka harruar/ Kur ishte në opozitë akuzonte qeverinë për zjarret
Atëherë Rama akuzonte qeverinë e Berishës për humbjen e aq shumë pyjeve sa nuk ishin humbur në një shekull. Sot, pas 13 vitesh në pushtet ndërsa kap rekorde të reja me fshatrat e djegur dhe territoret e përcëlluara nga flakët, qytetarët apo gazetarët që i kërkojnë llogari, Rama kryeministër i quan “lehaqenë” ndërsa për avionët zjarrfikës përgjigjet se “edhe po t’i kishim, nuk do të zgjidhej situata”.
Edhe këtu përgjigjen ia imponojnë gënjeshtrat e veta. Të paktën nëse rikthen premtimin e tij para fushatës, në 25 Mars 2025, kur thoshte se në verë Shqipëria do të blejë dy avionë zjarrfikës. Shikoni videon më poshtë të shkëputur nga një fjalim i Ramës:
"Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion këtë verë, janë bërë marrëveshjet, dy avionë në dispozicion, në gadishmëri për ne pa pritur që të vijnë nga një vend tjetër.'-është shprehur Rama më 25 Mars 2025.
[video width="848" height="384" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/08/Edi-Rama-premtimi-per-te-blere-dy-avione-kete-vere.mp4"][/video]
Por për t'i shpëtuar gënjeshrave, Rama thërret në ndihmë një “logjikë” tjetër, se avionët nuk bëjnë ndonjë diferencë thelbësore në shuarjen e zjarrëve dhe për këtë përmend shembullin e Greqisë me 77 avionë por sërish është përfshirë nga flakët. Një argument që mund të tingëllojë bindës, po të mos ishte fakti se nëse do të ishte kështu, atëherë përse detyrohet të marrë borxh avionë nga vendet e tjera për çdo vit dhe për më tepër, nëse ka gjetur një mënyrë më të mirë Edi Rama për të fikur zjarret në zonat malore.
Situata me zjarret nuk është surprizë për Shqipërinë. Çdo verë është përsëritet i njëjti skenar që konfirmon të njëjtën paaftësi; zero parandalim, reagim të vonuar, kapacitete të pamjaftueshme dhe ndihmë nga jashtë.
E vetmja gjë që ndryshon është retorika që shoqëron flakët. Dikur ato ishin mjeti i Ramës për të sulmuar paraardhësit, ndërsa sot që është në pushtet, furia e zjarreve është një mjet propagande që shoqërohet me tallje dhe sharje ndaj qytetarëve që i kërkojnë llogari. Por pavarësisht fjalëve, është fakt se 25% e forcës zjarrfikëse mungon ndërsa më shumë se 50 mijë hektarë janë shkrumbuar. Në këto kushte çdo “mirëmëngjes” shtrirë nga Dhërmiu nuk është shpjegim dhe aq më pak llogaridhënie. Duket se ndërsa Shqipëria digjet nga flakët, i vetmi zjarri që e shqetëson kryeministrin është ai i kritikës./Lapsi.al