Vizita e Kryeministrit britanik Keir Starmer në Shqipëri është shndërruar në një fiasko të vërtetë politike dhe mediatike në Mbretërinë e Bashkuar. Shtypi britanik dhe opozita konservatore po e përshkruajnë udhëtimin e tij në Tiranë si “një moment poshtërues”, ku një ide që synonte të dukej si një strategji e fortë për frenimin e emigracionit të paligjshëm u përmbys brenda orës, dhe për më tepër në transmetim të drejtpërdrejtë nga vetë mikpritësi i tij, Kryeministri Edi Rama.
Daily Mail e quan këtë një “goditje të turpshme” për Starmer, i cili u përpoq të promovonte një plan për ngritjen e qendrave të ngjashme me modelin e Ruandës në vende të treta, për të strehuar azilkërkues të dështuar nga MB-ja. Por Rama i bëri të qartë, në konferencë për shtyp, se Shqipëria nuk do të jetë pjesë e asnjë marrëveshjeje të re të tillë – duke e bërë vizitën të duket e pakuptimtë dhe duke e ekspozuar Starmer si të papërgatitur diplomatikisht.
Shkrimi i plotë i Daily Mail:
Keir Starmer përjetoi dje një poshtërim për shkak të përpjekjes së tij të fundit për të goditur emigracionin e paligjshëm.
Në një lëvizje të papritur, Kryeministri britanik përdori vizitën e tij në Shqipëri për të shpallur planet për krijimin e qendrave të ngjashme për refugjatët e paligjshëm me ato të Ruandës në vende të huaja, ku do të strehoheshin azilkërkuesit e dështuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Por kjo nismë u shemb përpara kamerave, vetëm një orë më pas, kur mikpritësi i tij, kryeministri shqiptar Edi Rama, e përjashtoi publikisht çdo pjesëmarrje të Shqipërisë në këtë skemë.
Plani i Starmer përbën një kthesë të madhe nga qëndrimi i tij i mëparshëm, pasi kishte quajtur skemën e Ruandës të qeverisë së kaluar një “truk politik”, të cilën e anuloi brenda pak ditësh pas ardhjes në pushtet.

Në një konferencë për shtyp në Tiranë, Rama – i cili është 2 metra i gjatë dhe qëndronte fizikisht dhe politikisht mbi Starmer – u shpreh: “Kam qenë shumë i qartë që nga dita e parë kur e nisëm këtë proces me Italinë, se ishte një marrëveshje e vetme, për shkak të marrëdhënies sonë të ngushtë dhe për shkak të situatës gjeografike që e bën të logjikshme.”
Ai shtoi më pas “Na kanë pyetur disa vende nëse ishim të hapur për marrëveshje të tjera dhe ne u thamë ‘jo’, sepse jemi besnikë ndaj martesës me Italinë – dhe pjesa tjetër është vetëm dashuri.”
Sekretari i Brendshëm në hije, Chris Philp, e quajti këtë një dështim diplomatik të rëndë: “Kjo vizitë është një turp. Starmer fluturoi deri në Shqipëri dhe kryeministri shqiptar e bëri të qartë që nuk do të ketë qendra britanike kthimi në Shqipëri. Pra, cili ishte qëllimi i kësaj vizite?”
Ai shtoi: “Një nga veprimet e para të kësaj qeverie laburiste ishte të anulonte planin për Ruandën. Tani, ndërkohë që 2025 po rezulton të jetë viti më i keq ndonjëherë për kalimet ilegale përmes Kanalit, Kryeministri po përpiqet të vërë në punë një imitim të dobët të atij plani. Starmer nuk është shqetësuar kurrë për ndalimin e emigracionit të paligjshëm… tani është në panik total dhe po shpik politika të papjekura për të mbuluar kaosin.”
Ky dështim për Starmer vjen në një moment kur ai përpiqet të shfaqet i ashpër për emigracionin për të frenuar rritjen e partisë "Reform UK", ndonëse për vite me radhë kishte mbrojtur qëndrime të kundërta.
Zyrtarët e qeverisë mbrëmjen e djeshme këmbëngulnin se qendrat e kthimit mund të negociohen ende me vende të tjera të Ballkanit si Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut. Ministrat po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e marrëveshjeve me disa shtete afrikane – përjashtuar Ruandën.
Starmer u përpoq të minimizojë refuzimin publik nga Shqipëria, duke thënë se nuk ishte gati të publikonte emrat e vendeve me të cilat po negocion Britania. Zyrtarët tentuan të sugjeronin se nuk kishte pasur kurrë plan që Tirana të përfshihej, edhe pse ai udhëtoi pikërisht atje për ta shpallur planin.
“Në kohën e duhur do të jap më shumë detaje për këtë çështje,” tha Kryeministri pas deklaratës refuzuese të Ramës.
Para takimit me Ramën, Starmer kishte thënë se tani ishte në favor të pagesës për të dërguar azilkërkuesit e dështuar jashtë vendit.
“Ajo që ne duam të bëjmë dhe për të cilën po zhvillojmë diskutime, është ngritja e qendrave të kthimit – vende ku një person që ka kaluar të gjitha procedurat ligjore në MB, duhet të kthehet dhe ne duhet të sigurohemi që kjo të ndodhë. Dhe do ta bëjmë këtë, nëse mundemi, përmes qendrave të kthimit” u shpreh ai.
Downing Street deklaroi se planet e reja janë “krejtësisht të ndryshme” nga skema e Ruandës së qeverisë së kaluar. Por vendimi për të negociuar pagesa për dërgimin e azilkërkuesve në vende të treta mund ta bëjë Kryeministrin të duket hipokrit, pasi po ndjek në thelb të njëjtën rrugë që më parë e quante të papranueshme.
Ministrat janë tani në përpjekje për të gjetur një zëvendësues të frikshëm për kalimet me gomone, pas një rritjeje të ndjeshme të emigrantëve ilegalë që kur Laburistët erdhën në pushtet. Deri më tani, në vitin 2025 kanë mbërritur mbi 12,000 persona, një rritje me 40% krahasuar me 2024. Të hënën, më shumë se 600 kaluan Kanalin – në të njëjtën kohë që Kryeministri po mbante një fjalim për ndalimin e emigracionit/ Daily Mail Përshtati Lapsi.al