SPAK nis hetimet për Metën/ Ish-Presidenti reagon ashpër (Deklarata)
Askush që arrin të vërë sadopak trurin në punë nuk ka dyshim se pas gjithë kësaj fushate qëndron Edi Rama, i cili tashmë kontrollon gjithçka. Boll të kujtosh fjalimin e tij, që do shkaktonte skandal në çdo vend demokratik, ku nga asambleja e PS, në 7 maj, ai i kërkonte SPAK-ut arrestimin e Metës. “Jo unë por gjithë Shqipëria, mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metën” tha ai duke e akuzuar prokurorinë e posaçme se përdor dy standarte: “Partnerët tanë e futën peshkun si simbol, duke folur për peshq që do kapen, skuqen, hahen. Eshtë realisht tallje e madhe që SPAK deri tani përdor vetëm një lloj grepi e vetëm për një lloj peshku. Madje pa e pasur problem fare të gjuajë cironka me dinamit. Duket se nuk ka as vullnet per ta perdorur dinamitin per peshkaqenet”.Rama urdhëron SPAK për hetimin e Metës dhe Berishës
Tre muaj më pas, shefi i Prokurorisë Speciale publikoi letrën ku i kërkoi KQZ-së kopje të formularit të vetëdeklarimit të Ilir Metës, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”. Pra, i gjithë problemi nuk është të debatohet se a fshihet Rama pas kësaj lufte shkatërrimtare për institucionet shtetërore, por se përse po e bën ai këtë. Po të shohësh qëllimet e shpallura të shumicës parlamentare për sezonin e ri, ato janë dy: hartimi i ligjeve që nxjerrin jashtë nga parlamenti Ilir Metën dhe Sali Berishën dhe nxitja e SPAK për të hetuar ata. Me një fjalë eleminimi i rivalëve me metoda ekstra politike. Dhe kjo i ka dy arsye. Në periudhën e rritjes galopante të çmimeve, kur nafta e benzina janë çmendur, kur ashtu siç është palalajmëruar energjia do të shkojë firifiu pas liberalizimit të çmimit të saj në treg, qeveria Rama është në pikën e saj më të ulët në raport me pakënaqësinë popullore ende pa ardhur dimri që, sipas të gjithë analistëve botërorë, pritet të jetë më i vështiri i dekadave të fundit. Pikërisht para tij, Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë paralajmëruar protesta të fuqishme popullore dhe zgjim të opozitës. Të gjitha këto lëvizje nuk janë asgjë më shumë se përpjekje për të izoluar ata që mund të bëhen me aq takat sa kanë, katalizatorë të pakënaqësisë popullore. Po pyetja e dytë që shtrohet, po pse nëse i trembet një fronti radikal opozitar, Rama godet pjesën më të vogël të tij, Partinë e Lirisë, dikur LSI? Përgjigjja gjendet në të shkuarën. Pasi edhe më parë ka bërë të njëjtën gjë. Boll të shohësh zgjedhjet e fundit parlamentare kur policia dhe prokuroria survejuan vetëm LSI-në për shitblerjen e votave sikur ky qe një sport që e aplikonte vetëm kjo parti. Boll të vëzhgosh makinerinë e propagandës, e cila u fokusua vetëm kundër kësaj pjese të opozitës. Boll të ndjekësh financimet okulte të oligarkëve, të cilët morën leje të qerasin nga pak PD e Bashës, por të mos hidhnin asnjë kacidhe tek Meta e Monika.Andi Bushati:Dy Shqipëritë dhe një e tretë, ajo e hajdutëve
Pra strategjia e Ramës ka qenë gjithmonë e qartë: nëse do të mos të të rrëzojnë sikurse bëre t'i vetë me Berishën, mos lër Ilir Metën t'i bashkohet kampit tjetër. Deri tani një gjë të tillë e ka bërë me mjete politike. Tani po tenton ta bëjë përmes drejtësisë dhe nxjerrjes së kundërshtarëve nga fusha e lojës. Dhe për ta arritur këtë qëllim, Rama mendon se Meta është preja më e lehtë. Jo vetëm se ai është në krye të një partie më të vogël se PD-ja, por mbi të gjitha se nuk ka fanatikë kamikazë si ata që Foltoret provuan se vazhdon të ketë pas vetes Berisha. ©Lapsi.al