Flash

Rusi sulmon ushtarët në Uzinën e Gramshit, alibia e fotove në Instagram dhe dyshimet për spiunazh

Lapsi.al 21 August 2022
Rusi sulmon ushtarët në Uzinën e Gramshit, alibia e fotove
Prej ditësh, tre të huajt që fotografonin pranë uzinës së armëve kishin rënë në sy të banorëve të Gramshit. Edhe ushtarëve, që ruanin uzinën iu ishte dukur e pazakontë lëvizja e tyre. I afërmi i njër prej ushtarëve u tha gazetarëve, se këto dike prezenca e të huajve pranë objektit ishte raportuar në regjistrat e vendrojës. Në anën tjetër, Chevrolet i kuq me një shirit të zi që prej tre ditësh lëvizte rregullisht në Gramsh, ishte lehtësisht i dallueshëm. Aldo Bici dhe Ardian Caka ishin dy ushtarët me shërbim pasditen e së shtunës. Rreth orës 17:00 dalluan brenda ambjenteve të uzinës, një person që fotografonte objektin. Ndërhynë menjëherë dhe i bënë thirrje të ndalej. Në uzinë kishte hyrë Mikhail Zorin. Ai kishte kaluar muret e objektit dhe po fotografonte. Jashtë e priste Svetlana Timofoeva, 33 vjeç dhe një person tjetër me nënshtetësi ukrainase, për të cilin dihen vetëm inicialet A.T. Në momentin që ushtarët iu afruan, Zorin u hodhi lëndë djegëse në fytyrë. Lënda shkakton djegie të syve dhe mpirje të fytyrës, por pavarësisht kësaj ushtarët e kanë mbajtur me forcë brenda në uzinë. Zorin u shoqërua në komisariatin e Gramshit. Policia është njoftuar se jashtë uzinës kanë qenë edhe Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari me inicialet A.T. Këta janë përpjekur të largohen, por janë arrestuar në të dalë të Gramshit. Lajmi për arrestimin e tre rusëve në një situatë të mbarsur nga lufta në Ukrainë dhe tensionet në Ballkan ka ngjallur kuriozitet dhe panik. Përveç mediave në Tiranë, u raportua menjëherë nga Reuters dhe Moscoë Times. Fabula që dyshohet është ajo e spiunazhit, e kamufluar nën vellon e turizmit dhe pasionit për fotografinë. Uzina e armëve në Gramsh është e vjetër. E ngjashme objektet e tjera të lëna pas dore, por të ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë. Por objekti ruhet nga forcat ushtarake, megjithëse prej tre vitesh nuk është funksional. Në hyrje, tabela lexon qartë: Ndal! Zonë ushtarake! Është lehtësisht e kuptueshme, që hyrja në objekt është e ndaluar. Të arrestuarit e kanë pasur të qartë se po shkelnin ligjin. Pavarësisht kësaj, një prej tyre ka kapërcyer murin për të fotografuar çfarë kishte brenda. Pajisja me lëndë djegëse dhe përdorimi kundër ushtarëve e rëndon pozicionin e të arrestuarve. Alibia se rusët e arrestuar janë thjesht blogerë të apasionuar fut ujë.   Dyshimet se pasioni për fotot është thjesht kamuflim, i konfirmoi edhe kryeministri Rama që i quajti të arrestuarit “tre individë të dyshuar për spiunazh”. Por rusët i thanë policisë se ishin fotografë dhe kishin një faqe blog, ku reklamonin kryesisht foto dhe video të ish-bazave ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Ata kanë thënë se fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti. Blogu i rusëve të arrestuar ka mes të tjerash edhe foto të ambjenteve të vjetra të objekteve ushtarake. Një prej tyre është bërë edhe në Shqipëri.  
 
View this post on Instagram
 

A post shared by Ukrainian ?? (@cyanidium)

Në këtë foto të publikuar nga Cianidum, duke se një prej të arrestuarve ka qenë më herët edhe në bazën e Pashalimanit, të cilën e përshkruan në këtë formë: “Bunkeri i nëndetëseve është vendi nëntokësor më i famshëm në Shqipëri, një nga monumentet më të mëdhenj të Luftës së Ftohtë në këtë vend. Është një tunel i drejtpërdrejtë në mal me një numër të madh shërbimesh të ndryshme, si dhe një qendër komandimi të veçantë. Nga aksesi, vendi është pothuajse turistik, ecja përreth është shumë interesante”. Mëngjesin e të dielës, gjendja shëndetësore e dy ushtarëve të uzinës së Gramshit ishte e stabilizuar. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se ngjarja “nuk mund të kalojë si një incident civil. Por nuk mund të nxitohemi dhe të nxjerrim konkluzione”. Më herët, Ministria e Mbrojtjes e kishte quajtur këtë “një incident”, por kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e dënoi këtë emërtim, duke e quajtur një “akt agresioni terrorist të zbuluesve rus ndaj rojeve të Uzinës Ushtarake të Gramshit”. Tre të arrestuarit janë ende në qeli. Për verifikimin dhe marrjen e tyre në pyetje janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI