Shumë burime pranë kryeministrit pohojnë se ka kohë që Rama i ka ftohur së tepërmi marëdhëniet me ish zëvendesin e tij, madje është shprehur se ndihet i tradhëtuar nga mënyra se si ky i fundit ka menaxhuar të gjithë procesin e inceneratorëve.
Kjo u duk edhe në mënyrën se si u njoftua lajmi. Nëse për disa ish anëtarë të mëparshëm qeverie çdo gjë është bërë në mirëkuptim, madje duke e filmuar edhe me kamera aktin e divorcit, ku bashkëudhëtarët falenderonin njëri tjetrin për bashkëpunimin, në këtë rast, kryeministri u mjaftua vetëm me një njoftim të thatë dhe konciz.
Ndonëse një pjesë e njerëzve me peshë brenda PS-së e kanë interpretuar largimin e Ahmetajt si pasojë e hakmarrjes nga klani Veliaj, duke u nisur nga fakti se kryebashkiaku dyshon se është ish ministri i ekonomisë dhe financave që i ka dhënë opozitës dokumentat që e nxjerrin atë zbuluar për inceneratorin e Tiranës (linku poshtë), kjo hipotezë ka pak gjasë të jetë e vërtetë.
Hetimi/ Pas daljes së dokumentit, Veliaj kandidat për SPAK
Edhe pretendimi tjetër, se ai ishte bërë pengesë financiare për disa nga aferat që një pjesë e oligarkëve i zgjidhnin drejtperdrejt me Ramën, nuk mbështetet në dëshmi të besueshme.
Versioni më i mundshëm është ai që lidhet me inceneratoret. Duke e kuptuar se skandali është një nga ata që e kanë damkosur përfundimisht me vulën e grabitësit, kryeministri po përpiqet të rikthejë në treg, pas gjysëm shekulli, barcaletën e njërit prej personazheve të famshme të komunizmit, Pal Vata: "Fola me Enverin, por ai nuk dinte gjë, gabimin e kishtë bërë Mehmeti".
Edhe Rama po shpërndan në rrethe të ngushta se atë e kanë gënyer për inceneratorët. Madje këtë qëndrim ai e mbajti edhe në publik, kur foli përpara komisionit hetimor parlamentar. Ai përmendi mundësinë e "pazareve të bëra skutave", tha se "politika nuk është hapsirë ëngjëjsh, dhe se njerëzit mund të korruptohen" dhe se ai si kryeminister merret me projektet e mëdha dhe nuk di se "ç'bëjnë ministrat pas shpinës së tij".
Komisioni hetimor/ Pse Rama zgjodhi të sillet si i pandehur
Pra, hipoteza se Rama do ti lërë dikujt faturën e inceneratorëve është mëse evidente. Dhe duke u nisur nga fakti se një investigim i BIRN, që dikur ai e ka shpërfillur, vërtetonte njohjet e Ahmetajt me Mirel Mërtirin, me sa duket kryeministri ka vendosur të bëjë kurban politik zëvendësin e tij të deri djeshëm. Andi Bushati: Dy Klodët nuk kanë mashtruar Ramën, ata kanë vjedhur për llogari të tij Por, sado të reket Rama të bëjë të paditurin, tashmë nuk ka asnjë dyshim se ai ka qenë arkitekti dhe dhe mbikqyrësi i gjithë këtij projekti korruptiv, që deri më tani ka çuar në pranga një ish ministër, një deputet dhe në kërkim bosët e koncesionit. Nëse nuk do ishte kështu, nuk mund të ndodhte që të nënshkruheshin plot 9 akte brenda një dite të vetme. Nëse nuk do të ishte kështu, edhe po të supozohet se nuk e patën vënë në djeni, pas denoncimeve të opozitës dhe mediave, Rama do përpiqej të informohej dhe nuk do vazhdonte të sulmonte kritikët e këtij skandali, duke i vënë gjoksin për ta mbrojtur. Nëse nuk do të ishte kështu, ai nuk ai nuk do përpiqej të shpërndante përgjegjësinë kolektive, duke shpënë në kulmin e akuzave PS-në në bënte mbledhje në barkun e inceneratorit të Elbasanit. Pra, sado që të reket të përhapë fjalën se është prerë në besë, ky version është pak i besueshëm. Vetë kryeministri e di këtë më mirë se kushdo, prandaj e paraqiti largimin e Ahmetajt si një përmbyllje të procesit të rindërtimit, ndonëse e la të hapur thashethemnajën e përgjegjësisë tek inceneratorët, për ata që duan ta besojnë me çdo kusht. ©Lapsi.al