Serbët e komunave të veriut të Kosovës do të fillojnë të paguajnë energjinë që refuzonin ta shlyenin që prej mbarimit të luftës, në vitin 1999, por kjo marrëveshje e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, do të ketë një çmim të rëndë, sepse ajo rrezikon të kalojë një pjesë të sovranitetit kosovar në favor të një kompanie energjitike serbe. Kompania e quajtur Elektrosever do të kujdeset për furnizimin me energji të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke i dhënë fund një grope prej rreth 60 milionë eurosh që akumulohej çdo vit në buxhetin e dobët të qeverisë së Kosovës.
Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, e quajti atë si një sukses. Ai e vuri theksin tek fakti se “për qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, do të fillojë faturimi i rrymës së shpenzuar” duke lënë të kuptohet se qeveria më në fund po i detyron edhe serbët të paguajnë njësoj si shqiptarët.
Por historia në fakt nuk është kaq e thjeshtë. Sepse duke e deleguar mbledhjen e faturave të energjisë tek kompania serbe Elektrosever, Prishtina ka hapur edhe njëherë debatin se sa e kontrollon qeveria qëndrore territorin e Republikës së Kosovës.
Pikërisht këtë aspekt të marrëveshjes theksoi kryenegociatori serb në dialogun e Brukselit. Petkoviç tha se “kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të thotë se kemi autonomi në furnizimin e veriut të ‘Kosovës dhe Metohisë’ me energji elektrike”. Madje si për ta lëvizur gishtin në plagë, ai shtoi se pas kësaj marrëveshjeje është hapur rruga edhe për bisedime për formimin e Asosiacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në fakt, arritja e këtij akordi me ndërmjetësinë e të dërguarit special Lajçak, nuk qe një hap i lehtë për t'u hedhur nga qeveria Kurti. Vetëvendosje dhe aktivistët e saj i kishin anatemuar ashpër qeveritë e mëparshme, sidomos atë të Isa Mustafës kur ishin bërë gati të nënshkruanin një marrëveshje pothuajse identike në vitet 2013- 2015. “Kjo marrëveshje po e rilidh edhe më fuqishëm sistemin e Kosovës me atë të Serbisë, ku Kosova natyrisht është e nënvendosur”, kishte alarmuar atëhere partia e Albin Kurtit.
Pikërisht kjo gjë e ka bërë nënkryetaren e PDK-së në opozitë,Vlora Çitaku, t'i drejtohet kryeministrit Kurti: “Ai duhet të na tregojë se kur e kishte mirë, atëhere apo tani”. Ajo i ka kujtuar Vetëvendosjes se për marrëveshje të tilla, ata dilnin në rrugë me slloganet: “Isa- Hasha, Esat Pasha”.
Pra a po sillet sot Albin Kurti si tradhëtari i dikurshëm i ekzekutuar nga Avni Rustemi?
Kjo pyetje do të endet gjatë në publik pas firmosjes së marrëveshjes për energjinë mes dy kampeve që do të debatojnë nëse i duheshin shpëtuar buxhetit të Kosovës rreth 60 milionë euro në vit, apo se ato nuk ishin aq të rëndësishme në krahasim me moslëshimin e terrenit për serbët në katër komunat e veriut.
©Lapsi.al