Fjalimi i sotëm i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky drejtuar parlamentit shqiptar përtej kortezisë e shprehjes së falenderimit njësoj siç ai ka bërë edhe me vende të tjera që i janë gjendur pranë në këtë kohë lufte, kishte edhe një kërkesë konkrete për qeverinë e Edi Ramës.
“Ju kërkojmë të mbyllni portet për anijet ruse, të kufizojnë ardhjen e turistëve rusë”, tha Zelensky.
Presidenti i Ukrainës kërkon t’i mbyllë çdo shteg regjimit të Vladimir Putin edhe ekonomisë së tij, në mënyrë që të ndërpritet financimi për makinerinë e luftës dhe Moska të izolohet gjithnjë e më shumë.
Vendeve perëndimore ai iu përsërit kërkesën për të hequr dorë nga nafta ruse, ndërsa për Shqipërinë kërkesa duket më lehtësisht e realizueshme.
Disa ditë më parë kur Edi Rama u pyet nga gazetarët për këtë cështje, ai tha se nuk mendonte që duhej rikthyer regjimi i vizave për rusët që hyjnë në Shqipëri.
“Shqipëria ka lehtësuar procedurat për hyrjen e të huajve në vend, përfshirë edhe për rusët, mendoni se duhet rishikuar sepse influence ruse është shumë prezente?”- ishte pyetja që iu drejtua Ramës gjatë konferencës për media.
Ai u përgjigj shkurt: “Jo, nuk mendoj”
[video width="640" height="342" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2022/05/bandicam-2022-05-03-15-43-31-304-1.mp4"][/video]
Qëndrimin e Ramës e ka konsideruar absurd edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Menjëherë pas fjalës së Zelenskyt, duke folur për mediat ai i bëri thirrje kryeministrit të pengonte rusët që duan të vijnë për turizëm në vendin tonë.
“Ishte absurd ftesa e Edi Ramës për turistët rus në Shqipëri. Imagjinoni ju, vrasës, përdhunues, kainër, që pasi kryejnë masakra të vijnë dhe të dynden në plazhet tona për tu rikuperuar dhe marrë veten. Kjo është një fyerje e rëndë për shqiptarët. Dhe ju që e ndoqët fjalën e presidentit Zelenskyt, kjo ishte edhe një kërkesë e tij. Çfarë ishte ky gjest mes kësaj barbarie, një ftesë për rusët që po bëjnë luftën më të padrejtë në tërë historinë e tyre të gjatë. Ndaj dhe kërkoj me urgjencë që të anulohen vizat për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri”, deklaroi Berisha.
Vendimi për heqjen e vizave për rusët është marrë nga qeveria në 25 mars 2021, në një përpjekje për të sjellë më shumë turistë në vend. Asokohe ky vendim është përshëndetur zyrtarisht edhe nga ambasada ruse në Tiranë.
“Hiqen viza për turistët rusë. Është miratuar Vendimi i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Nr. 214, dt. 25 Mars 2021, për heqjen e vizave për shtetasit e disa vendeve, përfshirë këtu edhe Rusinë, për periudhën 1 prill – 31 dhjetor 2021. Afati i lejuar i qëndrimit në vend është 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore, duke filluar nga data e hyrjes” thuhej në deklaratën e ambasadës ruse.
Por pavarësisht se Shqipëria i është bashkuar vendeve që kanë mbështetur me municione Ukrainën, si dhe ka aplikuar sanksione njësoj si perëndimi, gjasat janë që rikthimi i vizave për rusët të mos ndodhë. Kërkesa e Zelenskyt, aq më pak ajo e Berishës, Ramës nuk i duket arsye e mjaftueshme për të zhbërë vendimin e vitit të shkuar. Të paktën deri më tani qëndrimi i tij ka qenë i prerë kundër rikthimit të vizave për shtetasit rusë.
Sot pas fjalimit të presidentit ukrainas, gjatë ligjërastës së tij Edi Rama nuk e preku fare kërkesën e Zelensky-t, por ftoi ukrainasit për pushime në vendin tonë pas përfundimit të luftës
Nga ana e tij, kreu i qeverisë ftoi për pushime në Shqipëri ukrainasit pas përfundimit të luftës.
“I dashur miku ynë Presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre. ‘Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!’, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë. Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet”, tha Rama.
Në vijim kryeministri i premtoi presidentit ukrainas se Shqipëria do t'i japë donacione vendit të tij.
"Pasnesër, më 5 Maj, Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në Konferencën e Donatorëve, për Ukrainën të thirrur nga Polonia në Varshavë, ku do të japim edhe ne kontributin tonë modest”, përfundoi Rama.
©Lapsi.al