Sipas presidentit të SHBA-së, Joe Biden bota është përfshirë në një "betejë midis demokracisë dhe autokracisë" dhe Ukraina konsiderohet fronti qëndror i kësaj përballjeje.
"Por Ukraina nuk është i vetmi vend ku autokracia dhe demokracia janë në luftë", shkruan New York Times. Kjo po ndodh gjithashtu brenda disa demokracive evropiane. Jo nëpërmjet konfliktit ushtarak, por nëpërmjet zgjedhjeve. Politikanë miqësorë me Putinin - që ndajnë pikëpamjet e djathta dhe nacionaliste - po përpiqen të fitojnë pushtetin.
Dy prej tyre ia kanë dalë. Si në Hungari ashtu edhe në Serbi, udhëheqësit aktualë, që mbështesin Putinin fituan rizgjedhjen. Një test i madh, pritet të ndodhë këtë muaj në Francë, në zgjedhjet presidenciale. Një fitore nga kandidati i ekstremit të djathtë do të ishte një tërmet gjeopolitik.

Hungaria
Në fjalimin pas fitores së zgjedhjeve në Hungari, Viktor Orban, kryeministri miqësor ndaj Putinit tha: "Ne fituam një fitore kaq të madhe sa mund ta shihni atë nga hëna, dhe sigurisht nga Brukseli".
Hungaria është shembulli më i pastër i një demokracie që ka rrëshqitur drejt autokracisë. Pasi mori pushtetin në vitin 2010 me një fitore legjitime në zgjedhje, Orban filloi të ndryshojë rregullat për të mbetur në pushtet. Ai ka mbushur gjykatat me besnikët e tij dhe ka shuar kritikën në media.
Në secilën nga dy zgjedhjet e kaluara, partia e Orbanit, Fidesz, mori më pak se gjysmën e votave, por megjithatë fitoi dy të tretat në Parlament.
Orban ka një qeveri që ndërthur nacionalizmin kulturor, populizmin ekonomik dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Politikat e tij kanë rritur të ardhurat e shumë hungarezëve, duke përfshirë ata në zonat më rurale që përbëjnë bazën e tij elektorale, duke nxitur frikën e emigrantëve dhe, së fundmi të L.G.B.T.Q. E gjithë kjo e lidh atë me Putinin. Javët e fundit, Orban është përpjekur të tregojë veten si një politikan paqedashës dhe neutral në Ukrainë.
Hungaria nuk i është bashkuar përpjekjeve të Evropës Perëndimore për t'i siguruar Ukrainës armë dhe ka kundërshtuar përpjekjet brenda BE-së për të ndalur importin e energjisë ruse. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përshkroi Orbanin si "praktikisht të vetmin në Evropë që mbështet hapur Putinin".
Hungaria është krahasuar me një kolonë të pestë brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ajo është zyrtarisht një demokraci perëndimore - por në mënyrë efektive një aleat i Putinit.

Serbia
Fitoret e Orban dhe Vuçiç, CNN i quan dy fitore të vogla diplomatike të Putinit. “Hungaria është një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që do të thotë se Putini mund të pretendojë se ka një mik në krye të dy prej institucioneve të tij më të urryera" shkruhet në analizën e CNN.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është vënë në një pozitë të vështirë nga pushtimi rus në Ukrainë. Për vite me radhë, ai është përpjekur të balancojë ruajtjen e lidhjeve të forta diplomatike dhe ekonomike me Rusinë (dhe një dashuri të veçantë për Putinin) me përqafimin perëndimor që do të vinte me anëtarësimin e plotë në BE.
"Gjatë fushatës zgjedhore, Vuçi135 nuk devijoi nga ky ekuilibër dhe kandidoi me një platformë paqeje dhe stabiliteti në rajon", raportoi Reuters.
Serbia është plotësisht e varur nga gazi rus, ndërsa ushtria e saj mban lidhje me ushtrinë ruse. Edhe pse Serbia mbështeti dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin e Rusisë, ajo refuzoi të vendosë sanksione kundër Moskës, raportoi Reuters.
Kremlini gjithashtu mbështet Beogradin në qëndrimin ndaj Kosovës duke bllokuar anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
"Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka të njëjtin model politik si Putin dhe Orban. Pasi u bë president në vitin 2017, Vuçiç nisi ta shndërrojë median dikur të pavarur të Serbisë në diçka të ngjashme me një makinë propagande. Në muajt e fundit, ai ka ritransmetuar mesazhet e komentatorëve pro-rusë dhe gënjeshtrat e Putinit se Ukraina është një fole e nazistëve", shkroi Andrew Higgins i The Times.
Serbia nuk është anëtare as e NATO-s dhe as e BE-së dhe shumë nga qytetarët e saj ndajnë mosbesimin e Rusisë ndaj Perëndimit.

Franca
Votuesit francezë do të shkojnë në kutitë e votimit për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të dielën. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën - dhe askush nuk ka të ngjarë - një balotazh me dy kandidatë do të zhvillohet dy javë më vonë, më 24 prill.
Favoriti është presidenti aktual, Emmanuel Macron. Por epërsia e tij në sondazhe nuk është e madhe dhe lufta në Ukrainë duket se po e dëmton figurën e tij. Inflacioni ishte tashmë mjaft i lartë në Evropë, siç është në pjesën më të madhe të botës, për shkak të pandemisë. Lufta ka bërë që çmimet të rriten edhe më tej, kryesisht për shkak të sanksioneve ndaj naftës ruse.
"Ndërsa Macron është fokusuar në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje diplomatike në Ukrainë – dhe po dështon, deri më tani – kundërshtari i tij kryesor është fokusuar në ekonominë franceze", shpjegon Roger Cohen për New York Times. Kundërshtari është Marine Le Pen, një kandidate e djathtë.
Siç shkruan Roger, "Fokusi i saj në çështjet e kostos së jetesës ka impaktuar me miliona francezë që luftojnë për të përballuar jetesën pas një rritjeje prej më shumë se 53 për qind të çmimeve të gazit gjatë vitit të kaluar"

"Le Pen ka një histori të gjatë miqësore me Putinin. Partia e saj ka marrë kredi nga një bankë ruse dhe ajo u takua me të në vitin 2017 në një përpjekje për të forcuar imazhin e saj politik", shkruan Elisabeth Zerofsky në një histori të revistës Times për të djathtën ekstreme franceze. Deri para pushtimit, Le Pen mbështeti kryesisht politikat e Putinit. Edhe tani, ajo kundërshton politikat e vijës së ashpër ndaj Putinit.
Le Pen pason në sondazhe me afërsisht gjashtë pikë përqindje - një diferencë mjaft e vogël sa të mund të imagjinohet një shqetësim. Nëse ajo fiton, grupi miqësor ndaj autokracisë brenda demokracive të Evropës do të bëhej shumë më i madh se sa është tashmë.
"Një fitore e saj," shkruan Roger, "do të kërcënonte unitetin evropian, do të alarmonte aleatët francezë nga Uashingtoni në Varshavë dhe do ta përballte Bashkimin Evropian me krizën e tij më të madhe që nga Brexit"./ Përshtati Lapsi.al