Andi Bushati: Kjo nuk është një protestë anti perëndim
Po ta shikosh me vëmendje, njerëzit e tij të "PR" ishin kujdesur që ky koncept të ishte prezent në të gjitha titujt e lajmeve në mediat on line dhe televizoneve informative. Togfjalëshi "po i shërbejnë Rusisë" përsëritej sot me një këmbëngulje gati të imponuar. Por pjesa ku Edi Rama manipulon duke dashur të përforcojë tezën se këto protesta i shërbejnë Rusisë është ajo se këto masa janë të njëjta në të gjitha vendet për arsye të luftës dhe të sanksioneve që e kanë pasuar atë. Në fakt nuk është kështu. Protestat në Shqipëri, nuk kanë lidhje me kofliktin në Ukrainë, por me varfërinë ekstreme. Ato janë pasojë e politikave pro të pasurve dhe kundër të varfërve që ndjek prej nëntë vitesh Edi Rama. Dhe mbi të gjitha këtë e tregojnë statistikat dhe shifrat. Në fund të vitit të shkuar u botua një raport i FMN i cili tregonet se Shqipëria është vendi me varfërinë më të madhe në rajon. Sipas renditjes së marrë nga raportet e Bankës Botërore ku të varfër quhen të gjithë atë që jetojnë me 5.5 USD në ditë rerth 30.8% të Shqiptarëve konsiderohen të varfër ndërkohë që vendi më pranë nesh ishte Kosova ku vetëm 20.9% konsiderohen të tillë. Më poshtë radhitej Serbia dhe Mali i Zi në kufijtë e 17% ndërsa Maqedonia e veriut me 16.%. Të dhëna të tjera të nxjera nga Eurostat pretendojnë se kjo shifër bëhet më e lartë kur është fjala për ata që friksohen se mund të bien në nivelin e varfërisë. Sipas tyre 51.8% e shqiptarëve janë në rrezik varfërie, ose përjashtimi social. Shifrat e FMN/ Shqipëria me nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan Po ç'lidhje kanë këto shifra me Rusinë, Ukrainën, protestën? Lidhja është e thjeshtë. Kur ka një krizë, qytetarët më vulnerabël të një vendi ku qeveria mendon vetëm për të pasurit dhe jo për ta ndihen më të frikësuar dhe më të gatshëm për të reaguar. Dhe kriza e tanishme është një "deja vue". Dhe kjo u pa gjatë pandemisë. Sipas FMN Shqipëria jo vetëm kishte nivelin e varfërisë më të lartë në rajon, por qeveria e saj bën më pak se kushdo për mbrojtjen sociale të kësaj shtrese. Në raportin e sipërcituar theksohet se pas pandemisë, qeveria u përpoq të zgjeronte programet e mbrojtjes sociale me rreth 1 për qind të PBB-së në 2020-2021. Por FMN vë në pah se ky zgjerim ishte ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor. Këto masa “nuk arritën dot të mbështesin gjerësisht popullatën e prekur” thuhet aty duke iu referuar fatkeqësive natyrore si tërmeti dhe më pas pandemia përgjatë të cilava qeveria nuk iu gjen dot në krah shtresave të margjinalizuara. E para, këto protesta që po zhvillohen prej një jave, nuk janë nga ato që mund ti'a nxijnë faqen Edi Ramës përballë homologëve të tij të NATO-s, duke e bërë të duket si shefi i një vendi që po bën lojën e Rusisë. Nëse ka një gjë që duhej ta turpronte Ramën, është se ai e ka shtuar varfërinë në këtë vend. Se ndonëse erdhi në pushtet me flamurin e luftës kundër pabarazive, i ka thelluar ato duke punuar vetëm për të pasurit. Pabarazia në shifra/ Në ç’duar janë paratë shqiptare? Kjo është dhe arsyeja reale pse njerëzit janë ngritur këtë herë. Sepse të varfrit i bën të reagojnë pasiguria. Por kjo gjë pothuajse nuk figuron në shumicën e mediave të kapura ku raportimi i gënjeshtrës qeveritare, as nuk guxohet për tu vënë në diskutim. ©Lapsi.al