Fillimisht përshëndetja për ekipin dhe njohja me lojtarët e rinj, më pas darka me Simone Inzaghi dhe drejtuesit e lartë Marotta dhe Antonello, drejtori sportiv Ausilio dhe zëvendësi i tij Baccin. Një mbrëmje intensive për presidentin e Interit, Steven Zhang në Appiano Gentile, ku mungonte që më 22 maj, një ditë para festës së titullit kundër Udineses. Keqardhja për mungesën e gjatë, komplimentet për trajnerin dhe skuadrën dhe besimin në të gjithë grupin, për të tashmen dhe të ardhmen: janë ato që ka evidentuar presidenti: “Presim angazhime të vështira, por jam i sigurt se të gjithë së bashku do t’ia dalim” , tha numri një zikaltër, siç raporton Gazzetta dello Sport.
Rikthimi i tij në San Siro është gati, fillimisht për Lazion dhe më pas të mërkurën mbrëma në Superkupën kundër Juventusit në përpjekje për të fituar trofeun e dytë nën drejtimin e tij pas titullit kampion. Axhenda e Presidentit Zhang për kthimin e tij në Itali është plot angazhime. Fillimisht, rinovimi i kontratave të të gjithë komponentëve të fushës teknike, si shenjë konkrete e vlerësimit të punës së deritanishme. Më pas ai i Brozoviçit, që mund të zyrtarizohet në ditët në vijim. Akoma jo ai i Inzaghit, të cilin numri një i zikaltërve nuk ka humbur kurrë mundësinë për ta lavdëruar qoftë edhe nga distanca. Por është vetëm çështje kohe.

Investimet e mundshme në merkato janë në tavolinë për të forcuar më tej ekipin, me synimin për të vazhduar të qëndrojë në krye në Itali dhe gjithashtu të jetë në krye në Europë (Digne një emër që pëlqehet ashtu, siç është ai i Julian Alvarez i River Plate). Puna për këtë do të nisë nga e hëna. Por prania e Zhang në Itali do të shërbejë edhe për t'i dhënë dritën jeshile operacionit të rifinancimit të obligacionit 400 milionë euro me Goldman Sachs. E ardhmja e Interit është tani.