Të shtunën në mbrëmje, pasi Basha përjashtoi Berishën përmes përpjekjes për të bërë Kuvend dhe pasi Berisha shkarkoi Bashën përmes përpjekjes për referendum, Lulzim Basha u shfaq në një nga sallat brenda selisë së PD-së i rrethuar nga strukturat, ndërsa Sali Berisha foli nga oborri i selisë i rrethuar nga brohorimat e anëtarëve të partisë.
Ndryshe nga dita kur Berisha iu fut në seli, kësaj radhe Basha u pa më i qetë, më i sigurtë te vetja dhe më pak i mllefosur. As nuk stonoi kur foli dhe as nuk e sulmoi fort Berishën, siç kishte bërë pak ditë më parë.
Përkundrazi, u kërkoi vartësve në sallë të mos e qeshnin gazetaren e Syri-t se bëri një lapsus, ironizoi dhëndrin e Berishës që i kishte hipur mbi makinë me dy gishtat lart dhe thjesht u tall me referendumin e radhës, që së shpejti do të shkarkonte Entoni Blinkenin apo Xho Bajdenin. U duk sikur votat e mbi 44 mijë demokratëve nuk ia kishin cënuar ekuilibrat, megjithëse rezultati ishte 99% kundër tij.
https://streamable.com/xosl87
Qindra entuziastë që e ndoqën Berishën në të ftohtë pas 12 orëve impenjative të referendumit, hynë me vrull brenda në korridoret e godinës. Hyrja ishte për inerci. Pas disa hapash, kthyen kokën pas dhe panë për habinë e tyre, se Berisha kishte qëndruar tek shkallët. Shikoni videon më poshtë:
https://streamable.com/i2mffc
Rezultati i referendumit u lexua tek shkallët e selisë nga Albana Vokshi. Tek shkallët u festua edhe fitorja e shkarkimit me thirrjet “Basha ik”. Po aty, tek shkallët, kryetari u pagëzua edhe njëherë si “Lul Brava” dhe u tha se pati fatin e njëjtë me Ramiz Alinë në njësinë nr.8 në Tiranë.
Por askush nuk e kaloi vijën e kuqe. Militantët pritën më kot kushtrimin për ta'u futur në godinë dhe për ta nxjerrë nga zyra, në rrugë kryetarin që kishin shkarkuar dhe që u kishte ndërruar bravat e zyrave.
Por pasi dëgjuan edhe një deklaratë që i ftonte në protestë kundër Vuçiçit, u shpërndanë në paqe. Brenda në godinën e PD-së, Basha vazhdoi i qetë mbledhjen e kryesisë.
I pyetur nga gazetarët, se përse po qëndronte jashtë në oborr dhe nuk futej brenda në parti, Sali Berisha lëshoi një sinjal kujdesi për situatën e krijuar. “Me kaq shumë njerëz s’kisha si ngjitesha…”.
Pastaj akuzoi Edi Ramën se “duke marrë peng Lul Bravën duke ia mbush taracën me Gardistë dhe Renea e kanë shndërruar në një aset të qeverisë”.
https://streamable.com/owb8ms
Pastaj tha se Basha nuk mund të qëndronte përgjithmonë brenda, por një ditë do të dilte jashtë duke i folur gazetarëve me shaka: “Ça do fillojë grevë urie në zyrë ai? Ta provojë të hyjë në grevë urie po të dojë”.
Pretendimi se korridoret e selisë blu ishin mbushur me njerëz të armatosur u përcoll me ironi nga brenda PD-së. Duke treguar në njërën anë Agron Gjekmarkajn dhe në anën tjetër Alfred Rushajn, Basha tha se “kta dy personat me maska, njëri është i RENEA-s dhe tjetri i Gardës, por s’po e marrim vesh kush është i RENEA-s dhe kush është i Gardës. Një herë tha persona të armatosur, sot ka thënë që ka RENEA, nesër do thotë marinsa” vazhdoi ai duke bërë ironi me doktorin.
https://streamable.com/rnw7ww
Edhe kryeministri Edi Rama e mohoi se kishte çuar forca të armatosura në selinë e PD-së. Vendimi i Berishës për një tërheqje nga skenari i futjes në seli bashkë me anëtarësinë ishte i qartë.
Nëse Berishës do t’i duhej me çdo kusht selia e PD-së, dita më e mirë për ta marrë godinën ishte e shtuna e 18 Dhjetorit.
Shkarkimi i Lulzim Bashës sapo ishte vulosur me votën e dhjetëra mijëra demokratëve. Në anën tjetër, Lulzim Basha kishte vënë në skenë një Kuvend në kufijtë e komedisë, me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe me shifra të fryra në mënyrë qesharake.
Atëherë përse u ndal Berisha në shkallët e selisë blu, duke i lënë të qeta strukturat që demokratët i kishin asgjësuar me votë?

Ditë më parë, në 13 Dhjetor (foto lart) kishte vepruar ndryshe. Hyri me vrull bashkë me Komisionin e Rithemelimit dhe militantët brenda në godinë. Lulzim Basha e pa veten në kurth. I gjendur brenda një salle gjatë një mbledhjeje rutinë, ai qëndroi për disa orë me një grup grash dhe vajzash. Jashtë në korridore, dhjetëra militantë të irrituar thërrisnin "Basha ik".
Më vonë tregoi se skenat e krijuara i kujtuan paraardhësit me dhëmbë të thyer dhe të rrahur. Si përgjigje, lëshoi akuza të forta ndaj Berishës, duke i kujtuar vitin 1997 dhe 21 Janarin. Mesazhi kryesor ishte se karrigen dhe zyrën e kryetarit nuk do ta lëshonte lehtë.
Gjasat janë që Berisha vendosi se nuk i duhej një degradim i tillë i procesit që ka krijuar tashmë prej muajsh, që pasi u shpall "non grata". Skenat e dhunës do të ishin konfirmim i akuzave që e prezantojnë si një fantazëm e të shkuarës.
Me vendosjen e llogoreve në seli, nuk do të qe çudi që Basha dhe Berisha mund të bashkëndajnë përkohësisht të njëjtat ambjente. Si njëri, ashtu edhe tjetri për herë të parë dhanë disa mesazhe të tërhequra kur folën para kamerave. “
Ndoshta nesër nuk do të jem këtu, por në seli jemi ne” u shpreh Berisha përballë ngulmimit të gazetarëve, që kërkonin të dinin kur do të hynte në godinë.
https://streamable.com/v0u6kc
Basha ndërkohë u sqaroi të tijve "normalitetin e ri" me fjalët: “Se sa herë hipën e zbret shkallët Sali Berisha, kjo nuk është puna jonë. Ai është i përjashtuar tashmë nga forumet drejtuese”.
https://streamable.com/0dki1o
Varianti i çiftit të divorcuar, që detyrohet të ndajë të njëjtën shtëpi pas prishjes së martesës është përmendur që në fillim si një nga format ku do të kanalizohej konflikti Berisha-Basha. Për momentin mund të duket si zgjidhja më e mirë për të dy. Ironikisht, ky është varianti që i intereson edhe Edi Ramës, sepse kështu vazhdon të mbetet aktiv sherri në PD./Lapsi.al