Reshjet e borës në Dibër dhe një breshër i fortë janë bërë shkak për bllokimin e rrugës së Arbërit gjatë pasdites, që u hap sot nga kryeministri Rama nën tam-tamet e daulleve përgjatë ceremonisë, ku merrnin pjesë disa ministra dhe deputetë të zonës. Për ta pritur kryeministrin Rama nën një mot acar, shoqëruar me shi kishin nxjerrë disa dhjetëra fëmijë dibranë.
[video width="384" height="848" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/11/rama-femijet-i-ftohti.mp4"][/video]
Më të vegjëlve u kishin dhënë leje të mbanin ndonjë xhup, sipër jelekëve të kostumit tradicional. Të tjerët duhej të rezistonin derisa ministrja dhe drejtori t'i shpjegonin Edi Ramës para kamerave problemet me rrugës.
Ashtu duke u dridhur nga i ftohti pritën derisa ia bënë me shenjë. Drejt tyre po vinte Rama, Balluku dhe Ulsi Manja dhe fëmijët i janë bashkuar një fotoje që udhëheqja do ta hidhte më pas në profilin e tij në Facebook. Vetë i madhi i kishte marrë masat. Qe mbështjellë me një kapotë të trashë, të madhe, të zezë. E pat mbërthyer mirë edhe kopsën e vetme poshtë qafës, që i ftohti ta kish të pamundur të depërtonte.

Në pritjen që iu bë shefit të qeverisë nuk munguan edhe daullet. Dibranët pranë pushtetit kishin marrë masat të krijonin atmosferën e duhur për pritjen e "popullit" në shenjë mirënjohje për rrugën e re.
Në fakt, si Rama, ashtu edhe ministrja e infrastrukturës i kishte dalë borxhit dhe u kishte thënë se rruga nuk kishte mbaruar. Ky ishte një inaugurim simbolik, një tip ceremonie që i qëndronte si aksesor festës së 29 Nëntorit. Sepse realisht rruga ka ende shumë punë.
Për të shmangur ndonjë aksident tragjik janë marrë masat që policët të qëndrojnë në pjesë të ndryshme të rrugës për t'i kujtuar shoferëve të ulin shpejtësinë, sepse fare papritur gjatë udhëtimit, mund t'u dalë para ndonjë kantier ndërtimi, si foto që shpërndau në media deputetët e pd gjatë paraditës së sotme.

Rruga e Arbrit kalon në 6 tunele. Pesë kanë përfunduar. Një ka shfaqur probleme, ndaj në Murriz do të kalohet përmes një By-Pass ka thënë sot Balluku.
“Problemi qëndron në gjeologjinë e tunelit të Murrizt, tuneli më i gjatë dhe më kompleks i kësaj vepre 3.8 kilometra. Pjesën në qafën e Murrizit e kemi zgjidhur me By Pass që është i gjatë 8.8 kilometra , By Pass provizor, pasi do vazhdojmë një pjesë të punimeve. Kontrata ka afat fundin e Prillit 2022 dhe ne do bëjmë të pamundurën për ta dorëzuar në kohën e duhur” u shpreh ajo.
Por në orët e mbrëmjes një video e shpërndarë nga PD tregon një radhë të gjatë në rrugën e sapoinauguruar, ku makinat janë bllokuar.
[video width="848" height="480" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/11/ruga-e-arberit.mp4"][/video]
Kreu i emergjencave civile Haki Çako doli menjëherë në media për të thënë se shkak i bllokimit ishin qytetarët që kur morën vesh se ishte hapur rruga ishin dyndur aty dhe kishin ngecur.
Gjithsesi Belinda Balluku u ka dalë borxhit drejtuesve të mjeteve që kanë ngecur sot në rrugën e Arbërit. Një ditë më parë, para se Rama ta inauguronte rrugën, ajo njoftoi se kur të bjerë borë, rruga do të mbyllet. Ndoshta shumë e morën për shaka. Për dreq, që ditën e parë meteorologët kanë raportuar reshje bore në Dibër./Lapsi.al