Flash

Jep dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Lapsi.al 31 October 2021
Jep dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Pas humbjes në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, por edhe i kryetarit të Lidhjes Socialiste Demokrate.

Në një konferencë për mediat, Zaev u shpreh se është krenar për anëtarësimin e vendit në NATO dhe rezultatet në proceset integruese të Bashkimit Evropian.

“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së”, - deklaroi Zaev.

Ai tha se, do të qëndrojë derisa të krijohet një shumicë e re parlamentare. Po ashtu ai bëri të ditur se nuk do të ketë  zgjedhje të reja parlamentare.

“Mendoj se nuk duhet të ketë zgjedhje të reja. Na presin dy vite të shkëlqyeshme për punë dhe suksese ekonomike. Do ndihmoj gjatë kësaj periudhe që të riorganizohet një Qeveri e re”, tha Zaev.

“Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet. “Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, - ka shtuar Zaev.

Në krahun tjetër, kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski tha më herët se “Zaev duhet të pranojë realitetin, të pranojë mesazhin e popullit dhe të largohet".

VMRO-DPMNE-ja ka shpallur fitoren në rreth 20 nga 44 komuna sa u votua në balotazh. LSDM-ja e shpalli fitoren në 8 ndërsa 7 komuna tha se i ka fituar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Lëvizja Besa fitoi 2 komuna, përfshirë edhe Tetovën, aq sa edhe Aleanca për Shqiptarë, e cila fitoi Gostivarin dhe Dibrën.

Qeverisja e Zaev

Kryetari i Lidhjes-Social Demokrate, Zoran Zaev, u zgjidh për herë të parë në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016.

Ai erdhi në krye të qeverisë me votat e të gjitha partive politike shqiptare pasi LSDM në zgjedhje ishte mundur nga VMRO-DPMNE me rezultat të ngushtë, me vetëm 2 deputetë.

Gjatë këtij mandati Zaev mori përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut, e cila deri para Marrëveshjes së Prespës së arritur më 17 qershor 2018 quhej “Republika e Maqedonisë”.

Pavarësisht kritikave të shumta në opinion lidhur me këtë marrëveshje, por edhe negociatave më pas me Bullgarinë për marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që po ashtu konsiderohet si e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, Zoran Zaev fiton edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, që u mbajtën në qershor të vitit 2020.

Edhe në këto zgjedhje, partia e socialdemokratit, Zoran Zaev fitoi me rezultat të ngushë dhe ishin sërish partitë shqiptare, që i mundësoi formimin e Qeverisë së re.

Pas disfatës së partisë së tij në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor kishte paralajmëruar dorëheqjen nëse partia e tij humb zgjedhjet në raundin e dytë, në veçanti në Shkup.

©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

93.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI