Olta Xhaçka u thirr nga prokurorët e SPAK për të dhënë shpjegime mbi bazën detare Limion, Sarandë, të cilën ia kaloi me qira dy kompanive private tre vite më parë, gjatë kohës që drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes.
Prona, që konsiderohet një bazë ndihmëse e Pashalimanit, është nën sekuestro preventive me vendim të gjykatës. Investimi i kompanive private është ndërprerë prej një jave.
Gjykata arsyetoi se “është cënuar gatishmëria dhe operacionaliteti i Forcës Detare, operacionalitet i cili duhet të vazhdojë të kryhet nga organi kompetent që është Komanda e Forcës Detare, pa ndërhyrje të subjekteve private”.
Por në dalje të SPAK, Olta Xhaçka e mbrojti vendimin për ta dhënë me qira bazën detare të ushtrisë. Ajo e quajti atë një aset që “ka qëndruar mes ndryshqeve” dhe që do të kthehet në “asete me vlerë”.
Xhaçka tha se ishte në SPAK për shkak të akuzave të opozitës, por denoncimi ndaj saj është kryer nga ish-Zv.Komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari, i shkarkuar në vitin 2020 nga ushtria.
Kërkesat e kompanive private për pronat e ushtrisë
[caption id="attachment_807971" align="alignnone" width="1024"]
Majtas, Bardhyl Kollçaku, në mes Olta Xhaçka, djathtas, Bajram Begaj[/caption]
Në qendër të konfliktiti është një pronë e ushtrisë prej 265 mijë metrash katrorë në Sarandë. Prona u kërkua nga bashkimi i shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës.
Kërkesa e parë, në Janar të vitit 2020 mori përgjigje negative nga Forca Detare, pasi Meçollari e konsideroi të pabazuar në ligj, duke theksuar rëndësinë e saj strategjike.
Kërkesa e dytë erdhi e korrigjuar në Maj të vitit 2020 dhe u realizua sipas një vendimi të qeverisë që e dha pronën për 1 Euro. Rezultati qe se Artur Meçollari u flak jashtë radhëve të ushtrisë.
Investimi parashikon ndërtimin e një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të ofrojë mundësinë për ankorim, për 400 anije.
Kallëzimi i Meçollarit në SPAK
[caption id="attachment_807972" align="alignnone" width="1600"]
Majtas, Bardhyl Kollçaku, djathtas Artur Meçollari[/caption]
Pasi e larguan nga ushtria, Meçollari nisi përgatitjen e një kallëzimi në SPAK me besimin se do të gjente mbështetje nga njerëz që do të kthenin pas procedurat e paligjshme. Sipas Meçollarit ligji ishte shkelur përmes falsifikimit të dokumentave dhe shmangies së presidentit nga vendimmarrja.
Së pari, baza e Limionit është ende sot pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë. Për vendimin thotë Meçollari duhej marrë miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të armatosura. Kjo nuk ndodhi asnjëherë.
Së dyti, Meçollari thotë se kur iu kërkua mendim si Zv.Komandant i Forcës Detare ai nuk e dha dakortësinë për dhënien me qira të pronës që ishte brenda Planit të Përhapjes.
Por pak ditë më pas, Ministrja Olta Xhaçka dhe Shefi i Shtabit i atëhershëm, Bardhyl Kollçaku dhanë me qira 100% të pronës së ushtrisë. Baza detare do të kishte një bankinë, por mbetej pa tokë.
“Në datën 17 Qershor që më ka ardhur shkresa, thoshte ke një javë kohë, deri në datën 23 Qershor. Po atë natë më mori në telefon drejtori dhe Shefi i Shtabit dhe më thanë “E dua sot”. Unë bëra një shënim ku i shkruajta, “Meqë ne për shkak të urdhrit verbal, nuk kemi kohë ju lutem referojuni shkresave të mëparshme”.Shkresa e mëparshme ishte e Janarit që po e njëjta kompani donte me konçension të njëjtin territor dhe unë i kisha kthyer përgjigje negative. Nëse do i referohej, do i referohej përgjigjes negative. Në këtë moment, Shefi i Shtabit i dërgon Ministrit të Mbrojtjes shkresë ku i thotë “Jemi dakort, sipas miratimit të Forcës Detare”, ka treguar Meçollari gjatë emisionit Review në Euronews.
Meçollari u thirr në Prokurorinë e Posaçme në cilësinë e kallëzuesit. Bashkë me të, qëndroi në Prokurori për më shumë se 3 orë edhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Bardhyl Kollçaku, i cili tashmë është deputet i Partisë Socialiste.
Meçollari e ka akuzuar Kollçakun për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.
Olta Xhaçkën e ka akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim detyre dhe influencim ndaj zyrtarëve shtetërorë.
Dokumenti që djeg Xhaçkën dhe Kollçakun
[caption id="attachment_807973" align="alignnone" width="1280"]
Xhaçka ne SPAK[/caption]
Për të provuar akuzat që ka ndaj Olta Xhaçkës dhe Bardhyl Kollçakut, ish-zvKomandanti i Forcës Detare ka kërkuar prej vitesh një dokument që e tjetërsonte qëndrimin e tij në interes të kompanive private.
Sepse JO-ja që i dha Meçollari Shefit të Shtabit, Bardhyl Kollçakut u shndërrua në PO shkresë pas shkrese.
Pas disa vitesh përpjekje e ka gjetur dhe është dokumenti më poshtë, në të cilin Ministria e Mbrojtjes i jep përgjigje pozitive Ministrisë së Financave për të vazhduar me procedurat e dhënies me qira të pronës së bazës Limion, Sarandë.
Mes rreshtave shkruhet:
“Komanda e Forcës Detare, si administruese e pronave nr.696, 1271 dhe 1272, me vendndodhje në Limion Sarndë, me shkresën nr.1762/3, datë 18.06.2020 shprehet dakort për kryerjen e investimit në Gjirin e Limionit, sipas kërkesës së bërë nga kërkuesi si dhe ka përgatitur dokumentacionin tekniko ligjor në përputhje me kërkesat e VKM nr.54, datë 05.02.2014"
[caption id="attachment_807967" align="alignnone" width="1125"]
lapsi.al[/caption]
Kjo nuk është e vërtetë shprehet Meçollari, i cili më pas ka përgatitur kallëzimet për falsifikim dhe shpërdorim detyre. Më poshtë dokumenti i plotë, kur Ministria e Mbrojtjes i kthen përgjigje pozitive Ministrisë së Financave për pronën e kërkuar.


Përplasja e Meçollarit me Berishën
Për hir të së vërtetës, ngjarjet kanë pasur një rrjedhë ironike. Para se Olta Xhaçka ta shkarkonte Artur Meçollarin se ky kundërshtoi t’ia jepte pronat e ushtrisë kompanive private, ajo e kishte ngritur në qiell publikisht sepse ai kishte refuzuar të njëjtin presion nga Berisha.
Dihet historia e vitit 2012, kur Artur Meçollari refuzoi të firmoste për t’i kaluar bazën e Bisht Pallës investitorit Damir Fazlliç.
Socialistët e vlerësonin si patriot, deri kur iu ngeci sharra në gozhdë.
Në një debat me deputetët e PD-së në vitin 2018, Olta Xhaçka thoshte se sulmet e Berishës për kolonelin e kishin zanafillën në konfliktin që lindi për t’ia kaluar bazën e Bisht Pallës biznesmenëve pranë tij.
“Meçollari nuk pranoi të firmoste për heqjen e disa bazave detare nga plani i përhapjes. Nuk pranoi t’ua jepte bazat detare, miqve dhe familjarëve të doktorit kryeminister. Sulmi ndaj Mecollarit kur shtypi shkruante për mega-aferat me bazën e Bisht Pallës, kur shtypi shkruante për shitblerjen e pronave në Porto Romano mes familjarëve të Berishës me Damir Fazlliç” shprehej Ministrja e Mbrojtjes.
Edhe atëherë Forcës Detare i ishte kërkuar zyrtarisht heqja nga Plani i Përhapjes të Kepit të Palit, por Meçollari dhe 15 drejtuesit e Forcës Detare nuk iu bindën urdhrave politike.
Kaluan ca vite dhe historia u përsërit. Përballë Meçollarit kësaj radhe nuk ishte Berisha, por Olta Xhaçka./Lapsi.al
https://lapsi.al/2021/10/06/investigimi-si-po-zhvaten-pronat-e-forcave-detare-dhe-po-iu-falen-klienteve-te-qeverise-me-truke-shteterore/