Rastet e reja të infektimit nga Covid-19 janë vetëm disa dhjetëra persona të konfirmuar, sipas asaj që raporton çdo ditë Ministria e Shëndetësisë. Spitalet e dedikuara për pandeminë dalëngadalë po boshatisen. Covid 3 dhe 4 në Tiranë nuk kanë më pacientë për të trajtuar, ndërsa spitali rajonal i Elbasanit ka pak, ose aspak të shtruar që kërkojnë trajtim.

Pak ditë më parë, mjekët e Infektivit iu gëzuan 24 orëve të para pa asnjë pacient të ri me covid. Numri i të shëruarve këtë të mërkurë (12 maj) ishte mbi 1 mijë persona, ndërsa rastet e reja me koronavirus vetëm 42. Në kushtet kur pandemia thuet se është në tërheqje, mjekët e Komitetit Teknik të Ekspertëve sinjalizojnë heqjen e masave kufizuese në fillim të qershorit.
Pak ditë më parë, njëri prej tyre Alban Ylli tha se do t’i propozonte Komitetit Teknik heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskës në ambjentet e jashtme dhe zgjatjen e orarit të lëvizjes deri në mesnatë. “Shpresoj në mbledhjen e kësaj radhë të kemi gradualisht lirimin e një a dy masave, unë personalisht do propozoj një zgjatje të orës policore deri në mesnatë dhe ndoshta një ndërrim të detyrimit për maskat në rekomandim, në mjedise të hapura” tha Ylli për Tv Klan.
Ndërkohë një tjetër mjek, Skënder Brataj paralajmëroi sërish heqjen e masave kufizuese në një intervistë për abc.
“Po vlerësohen të gjitha masat dhe kuptohet që janë paralele dhe graduale. Sa më shumë të vaksinuar të kemi aq më shpejt do të shkojmë drejt eliminimit të masave që janë, kuptohet një nga një. Maskat, oraret, ora policore, aktivitetet e ndryshme, bizneset, lokalet, festat do të shihen të gjitha me radhë”, tha më tej Brataj.
https://lapsi.al/2021/03/30/rama-i-pergjigjet-pd-se-sulmon-serish-grumbullimet-e-bashes/
Por ndërsa ekspertët paralajmërojnë afrimin me normalitetin, mbeten dyshimet nëse vërtet rreziku ka kaluar.
Shifrat e pandemisë ranë në mënyrë drastike menjëherë pas zgjedhjeve të 25 Prillit dhe këtu ka një kontradiktë. Gjatë fushatës u vunë re grumbullime të përditshme të qindra, apo mijëra qytetarëve, që sfiduan rrezikun nga Covid për të brohoritur në kor thirrjet e liderëve politikë. Turma njerëzish, si nga PD, ashtu edhe nga PS u grumbulluan nëpër sheshe dhe stadiume, duke krijuar ato që në kushtet e pandemisë konsiderohen "bomba biologjike". Pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë shenjë se këto grumbullime dhanë ndonjë efekt në shifra infeksoni.
Në anën tjetër, keqpërdorimi politik i Komitetit Teknik të Ekspertëve është një fakt i provuar nga karantina e detyruar dyjavore për emigrantët që vinin nga Greqia. Vendimi ishte një shërbim bajat që iu bë Partisë Socialiste në lidhje me 25 Prillin, duke thërrmuar përfundimisht një grimë kredibiliteti që u kishte mbetur anëtarëve të Komitetit.
https://lapsi.al/2021/01/22/fshehja-e-vdekjeve-nga-covid-shifrat-qe-nxjerrin-bllof-propaganden-e-qeverise/
Dyshimet nëse shifrat që raportohen pasqyrojnë situatën reale të pandemisë, shtohen edhe nga shifrat e vdekshmërisë të tre muajve të parë të këtij viti që publikoi INSTAT. Me pak fjalë rezulton se vdekjet u rritën nga krahasim me tre vite më parë, por jetët e humbura nga Covid sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë shumë pak, në krahasim me ato që janë shtuar nga vitet e kaluara.
Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se 1810 shqiptarë humbën jetën nga COVID-19 në 3 muajt e parë të këtij viti.
Diferenca me mesataren e tre viteve të shkuara është afërsisht 3200 vdekje.
Prej këtu rezulton se janë 1400 jetë të humbura më shumë se mesatarja. Kjo është shifra që dyshohet se është pasojë e infektimit nga covid dhe se është fshehur nga autoritetet, që nuk kanë si ta shpjegojnë këtë rritje të vdekshmërisë.
Në prag të sezonit të turizmit, shifrat e ulëta të pandemisë dhe heqja e masave kufizuese pritet t’i japin frymëmarrje turizmit, megjithatë zhdukja si me magji e Covid-19 pas zgjedhjeve të 25 Prillit, duket një tjetër provë se të dhënat e pandemisë janë të dirigjuara në bazë të interesit politik. Për momentin, interesi është që të mos kemi një pandemi të rënduar. Dhe ashtu po ndodh.©Lapsi.al