Theksin e ka “british”, kurse buzëqeshjen të bardhë si bora. Bora ka edhe emrin zv.ministrja e re e Arsimit, një nga vajzat e para të enturazhit Rama, që u promovua në qeveri, ende pa mbaruar festa e fitores së mandatit të tretë.
Bora Muzhaqi, një “hit” i ri në paradën e imazheve që ngjisin karrierat lëvizëse të PS-së, me stilin e saj, me mënyrën si artikulon dhe sjelljen e saj në publik duket se ka ngacmuar shijet e rilindjes dhe kaq ka mjaftuar për ta përfshirë menjëherë në gjirin e saj.
Profili i vajzës nga Elbasani nuk ka asnjë mospërputhje me modelin politik të Rilindjes. Kartën e studimeve jashtë, ajo e luan fort në publik, si një nga pikat më të forta. “Në përfundim të studimeve të gjimnazit, konkurrova për t’u përzgjedhur në një nga universitetet më prestigjoze, jo vetëm në Angli, por edhe në rang botëror, në London School of Economics, ku fitova të drejtën për studime në fushën e ekonomisë” shkruan në faqen e saj personale në internet, duke shpjeguar se është kthyer në Shqipëri, që në 2013.
Kthimin në Shqipëri, e shpjegon me frazat shabllon, të njëjtat shprehi dhe fjalë që përdoreshin ndër filmat e vjetër të Kinostudios “Shqipëria e Re”.
[video width="848" height="480" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/05/bora-pse-u-ktheve.mp4"][/video]
Punën e nis fillimisht në një kompani private të konsulencës në Tiranë dhe më pas përzgjidhet si këshilltare e BERZH pranë Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Nga aty katapultohet direkt kandidate për deputete në Tiranë.
Por nëse vëren trajektoren e saj të fryrë në politikë, kupton se përtej angazhimit në konsulencë financiare, përtej ambicies për të ndihmuar të rinjtë me projektet start-up, buzëqeshja që ndizet në fytyrën e 31-vjecares kur ajo shfaqet para kamerave, mund të jetë ndoshta cilësia kryesore e suksesit të saj në politikë.

“Nëse shkoni te web im unë kam tre nisma personale përtej Partisë Socialiste” u tha Muzhaqi gazetarëve, gjatë emisionit Opinion në datën 22 Prill, për t’i mbushur mendjen skeptikëve në studio, se ajo nuk qe thjesht një kukull, që kishte ardhur të shoqëronte Edi Ramën në emision për ta zbutur imazhin e tij të rrënuar nga aferat e konçensioneve, lidhjet me krimin, shoqëria me trafikantët e drogës, përgjimet e patronazhistëve, gjobën e Beketit etj etj.
Por kur Edi Rama i ndërhyri duke e mësuar se si t’i përgjigjej gazetarëve, ajo thjesht buzëqeshi dhe iu bind si të ishte kurdisur live. “Kam 7 vite në Shqipëri, kam 7 vite që punoj. Pesë vitet e para isha në konsulencë ekonomike, isha kundër shtetit gjithë kohës, kundër doganës, kundër Ministrisë së Financave, kundër tatimeve, gjithë kohës apelime bëja. Pas kësaj isha këshilltare e jashtme në një prej ministrive, e përzgjedhur nga BERZH, si këshilltare në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit, dhe i kam ndihmuar shumë mirë bizneset në ekstremin e mundshëm dhe i kam bërë hallet e tyre sikur të ishin të miat. Por pavarësisht se bëra gjithë këtë, do më pyesni, do më thoni: A isha e kënaqur me ata që përfaqësojnë këtë qeveri? Jo me të gjithë. Dhe kjo ishte arsyeja që iu futa kësaj pune sepse mendova se nga brenda, duke qenë në krah të kryeministrit, mund të kisha një kontribut më të madh, për t’ia bërë jetën më të lehtë bizneseve, për t’ia bërë jetën më të lehtë të rinjve” tha Muzhaqi. VIDEO KETU
As në daljet publike të fushatës, nuk shkëlqeu. Më shumë se ndonjë ide mbi misionin e saj në politikë, ra në sy natyrshmëria në përcjelljen e mesazhit të paketuar më parë nga zyrat e shtypit të PS-së. Një lirshmëri alla Joleza Koka shpesh e ka çuar drejt gafave të ngjashme dhe që kanë bërë xhiron e rrjetit. E tillë është shprehja që kapi mijëra klikime në portale dhe rrjete sociale, kur Muzhaqi u shpreh: Babain tim e kam parë vetëm një herë duke qarë. Ishte dita kur takoi prindërit e mi në gjimnaz.
[video width="384" height="848" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/05/Bora-babai-im.mp4"][/video]
Por pavarësisht devijimeve në transmetim live, Muzhaqi ngjan një personazh krejtësisht e “spiropalizuar” që në gjenezë. Fjalimi i saj për kumbullat e kuqe, në një prej takimeve të fushatës, mund të shënjojë një datë tjetër në historinë e lavdeve verbale, jo për një, por për dy kryetarë të PS-së.
[video width="384" height="848" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/05/bora-kumbullat-e-kuqe.mp4"][/video]
Kandidimi në Tiranë u shoqërua me një fushatë modeste, e vendosur në vendin e 31 në listën e PS-së dhe u mbyll me një rezultat po aq modest, vetëm 1069 vota.

Gjithsesi pozicioni i vajzës me theks “british” në skuadrën e Rilindjes ishte tjetër. Jo për të mbledhur vota, por për të fshehur pas buzëqeshjes së saj rrezatuese ata që realisht mbledhin vota. Për një nga fushatat më të tensionuara, me sherre, përplasje, sharje dhe bullizëm, plagosje, deri edhe vrasje, buzëqeshja e Bora Muzhaqit qe imazhi më i mirë për të mbuluar kandidatët socialistë të akuzuar për abuzime me resurset shtetërore apo ata të lidhur me bandat. Muzhaqi u shfaq e qeshur në foltoren e Partisë Socialiste ditët e fundit pas 25 Prillit dhe u përzgjodh si folëse në mitingun e falenderimit në sheshin Skënderbej.
[video width="848" height="384" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/05/bora-foltorja-e-ps.mp4"][/video]
Në fakt, rezultati i dobët i Bora Muzhaqit në 25 Prill dhe posti i rëndësishëm që iu dha me nxitim në Ministrinë e Arsimit vijnë si kontradiktë, që e bën të vështirë leximin e Ramës për krijimin e qeverisë së ardhshme. Nëse duhej të shpërblehej dikush nga kandidatët socialistë në këto zgjedhje ai është pa dyshim “heroi” i 25 Prillit në selinë e PS, Ornaldo Rakipi, 19-vjeçari që ka thyer çdo pritshmëri duke mbledhur 15 mijë e 700 vota i vetëm në Tiranë dhe të cilit foltorja iu la në dispozicion vetëm pak sekonda.
Por duket se Rama mendon ndryshe. “Përbindëshit” e votave të 25 Prillit i ka lënë të qëndrojnë në hije. Fitorja e këtyre zgjedheve duhet të ketë në vitrinë vajza dhe djem të rinj, të shkolluar jashtë dhe me ide inovative. Me shumë gjasë, nëse i mbetet të njëjtës llogjikë, nuk është çudi që shtatori ta gjejë Muzhaqin Ministre të Arsimit.©Lapsi.al