Kryeministri Rama ishte në Vlorë të enjten për të parë punimet tek projekti i zgjatimit të Lungomares. Si në çdo aktivitet të këtyre ditëve, kamera e ERTV e ndoqi teksa interesohej për detaje si rrethimi i pishave, gurët dekorativë, spotet e ndriçimit dhe ngjyrën e betonit në pishinat në anë të detit.
Shëtitja u transmetua live në ERTV me Dritan Lelin në rolin e ciceronit, Gjiknurin që saktëson çmimet e metrit katror të vilave dhe inxhinierët që shuanin kureshtjen e kryeministrit për ndonjë detaj të projektit.
Lungomare është një nga projektet më të rëndësishme të rilindjes urbane në Vlorë dhe zgjatimi i saj, pra Lungomare 2, është një financim i FSHZH.
Por projekti i Lungomares u financua nga Bashkimi Europian, një fakt për të cilin pakkush është në dijeni. Normalisht ky fakt nuk është sekret, por Propaganda intensive e qeverisë, e ka lënë në hije rolin madhor të Bashkimit Europian në këtë projekt.

Mund të gjesh me dhjetëra vizita të Edi Ramës në Vlorë tek Lungomare dhe qindra raportime në media dhe askund nuk ka një falenderim apo mirënjohje për miliona eurot e investuara nga Bashkimi Europian. Jo se Rama nuk e ka ditur, por kryesocialisti e ka shmangur nga vëmëndja publike për të marrë mbi vete të gjitha meritat.
Projekti është shfrytëzuar përgjatë fushatave elektorale, ku është bërë e zakonshme që kreu i qeverisë rreh gjoksin herë si arkitekt dhe herë si inxhinier në takimet në Vlorë.

Kjo "shmangie" për interesa elektorale e pati një moment rezistence nga Soreca. Diplomati italian u angazhua personalisht në një fushatë komunikimi, që synonte promovimin e projekteve të Bashkimit Europian dhe që nisi pikërisht tek Lungomare, në mesin e vitit të kaluar. Fushata e komunikimit, e quajtur "Europa është këtu" kishte si qëllim ta theksonte me ngulm se Lungomare dhe projekte të tjera të ngjashme ishin financime të Bashkimit Europian.

Një burim pranë delegacionit të BE-së tha se gjatë kësaj fushate komunikimi, u porositën një seri tabelash promovuese që vinin në dukje financimin e projekteve e nga BE dhe punonjësit kishin porosi të veçantë t'i vendosnin në pozicione sa më të dukshme në kantieret e ndërtimit, të cilat ishin shpesh objekt i materialeve propagandistike të ministrave.
Vetë Soreca nuk ngurroi të ankohej publikisht për faktin se pakkush ishte në dijeni për investimet e Bashkimit Europian gjatë një vizite në Vlorë. “Lungomare ishte një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bashkimin Europian. Ai e rimodeloi tërësisht Vlorën, hapi bregdetin për pamje të mahnitshme, e bëri infrastrukturën miqësore me mjedisin dhe, mbi të gjitha, ndryshoi jetën dhe biznesin e shumë banorëve. Tani ne po punojmë së bashku për një tjetër projekt të rëndësishëm: bypass-in e Vlorës. Sapo jemi kthyer nga një vizitë me kontraktorët dhe inxhinierët, dhe unë jam i lumtur që shoh se puna po përparon shumë shpejt. Bypass-i do ta ndryshojë qytetin e Vlorës ashtu siç bëri Lungomare. Ne jemi krenarë të investojmë në një projekt që po përdor teknologjinë më të përparuar në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Por a e dinë të gjithë se është Bashkimi Europian që po e financon bypass-in e Vlorës? Shumica e njerëzve nuk e dinë këtë dhe për fat të keq kjo ndodh shpesh me mbështetjen tonë financiare. Vetëm për rrugët, BE-ja ka investuar më shumë se 110 milionë euro në 10 vitet e fundit, duke ofruar 700 km rrugë në të gjithë vendin. Ka shumë të ngjarë që, çdo ditë dhe pa e ditur, ju udhëtoni në një rrugë që e ka financuar BE-ja”, shprehej Soreca.
Nuk dihet nëse fushata e komunikimit të Sorecës pati për qëllim të shtojë ndërgjegjësimin e popullsisë në lidhje me paratë që Bashkimi Europian investon në Shqipëri, apo ishte pasojë e fërkimeve që Rama pati me ndërkombëtaret vitin e kaluar gjatë negociatave për një marrëveshje me opozitën. Gjithsesi, duket se nuk ia ka arritur qëllimit që pati Soreca, te paktën në lidhje me Lungomaren, që është përfolur shpesh në fushata elektorale, si një projekt meritë personale e Edi Rames.©Lapsi.al