KO i rëndë në natën e Halloween për boksierin shqiptar Nuri Seferi, që nuk ka rezistuar dot më shumë se 1 minutë e 34 sekonda në ring kundër rusit Murat Gasiev. Supermacia e ish-kampionit të botës në Cruiser, tashmë në peshat e rënda, u evidentua që në fillim, por e djathta që u shkarkua në nofullën e Seferit kur duheshin edhe 1'26" të përfundonte raundi i parë ishte fatale për boksierin nga Gostivari.
Në fakt, Seferi arriti të ngrihet me vështirësi në këmbë, në tentativë për të vazhduar ndeshjen, por gjyqtari nuk e lejoi, duke parë gjendjen jo plotësisht koshiente të shqiptarit. Kështu, Gasiev mori fitoren që në raundin e parë, duke iu gëzuar një suksesi të thjeshtë në ring, madje shumë më tepër se e kishte menduar.
43 vjecari Seferi pëson kështu humbjen e 10 në 51 ndeshje si profesionist, ndërsa Gasiev vazhdon formën e mirë: në 28 ndeshje të zhvilluara, regjistron 27 fitore, 20 prej të cilave me nokaut.