Futbolli post-koronavirus nuk i pëlqen askujt. Ndoshta është më mirë se pa asgjë, por shkallët bosh kanë krijuar një atmosferë të zbrazët, aspak motivuese, që nuk të lë shijen e një gare adrenaline. Mes atyre që dalin hapur në kërkim të tifozëve në stadiume është edhe tekniku i Bolonjës Sinisha Mihajlovic: "Problemi nuk është kur luan, është se nuk ka publik e nuk është bukur. Në rregull, mund të pranohet një apo dy ndeshje, por pastaj gjatë mërzitësh, nuk është futboll. E di se ishte mënyra e vetme për të përfunduar kampionatin, por shpresoj që nga shtatori të rihapen stadiumet, është shumë e rëndësishme për ne të gjithë".
Sinisha vazhdon shpjegimin e tij, duke rritur dozën e protestës: "Futbolli luhet për tifozët, tani është akull. Nuk është dicka që më emocionon. Shpresoj të mbarojë shpejt, me këto tre javë. Nëse do të më pyesnin nëse do të luaja kampionatin pa publik apo të mos luaja, do të preferoja të mos luaja. Më shpif kështu. Nuk ka krahasim kur luan me stadium plot", shfryu Sinisa Mihajlovic në konferencë për shtyp në vigjilje të përballjes me Lecce.