
Pas dosjes "Aruba" SPAK ka goditur një tjetër rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave, por vëmendjen në operacionin e fundit e tërheqin dy emra të njohur të dosjeve ndërkombëtare të narkotrafikut: Dritan Gjika dhe Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka lëshuar 10 urdhër-arreste dhe ka vendosur sekuestro mbi 491 pasuri me një vlerë të përafërt prej 150 milionë eurosh. Sipas hetimeve, grupi kriminal ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë, duke trafikuar të paktën 50 ton kokainë drejt Europës.
Mes personave të shpallur në kërkim ndodhet Dritan Gjika, i konsideruar nga autoritetet e Ekuadorit si një nga drejtuesit kryesorë të rrjeteve shqiptare të kokainës në Amerikën Latine. Emri i tij është shfaqur në disa prej operacioneve më të mëdha kundër narkotrafikut në Ekuador, ndërsa hetuesit dyshojnë se ai kontrollonte një rrjet kompanish eksporti të përdorura për transportimin e kokainës drejt porteve europiane.
Po aq i njohur është edhe Eldi Dizdari, rezident prej vitesh në Dubai dhe i përmendur në hetimet e autoriteteve italiane, belge dhe europiane për trafikun ndërkombëtar të kokainës. Emri i tij është lidhur me operacionin “Los Blancos” dhe me dosjet e organizatës kriminale “Kompania Bello”, një prej rrjeteve shqiptare më të fuqishme të kokainës në Europë.
Sipas SPAK, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë transferuar më pas në Shqipëri dhe janë investuar në sektorin e ndërtimit, hoteleri dhe pasuri të paluajtshme. Hetuesit dyshojnë se përmes kompanive të kontrolluara nga personat nën hetim janë financuar projekte të shumta ndërtimi, duke integruar paratë e drogës në ekonominë formale.
Operacioni ka çuar në sekuestrimin e 266 pasurive të paluajtshme, 209 llogarive bankare, dhjetëra kompanive, automjeteve dhe mjeteve lundruese. Mes pasurive të prekura nga sekuestroja ndodhen prona në Lalzi Marina, Hotel Elisa Tirana, vila dhe apartamente në komplekse rezidenciale luksoze në Tiranë, Durrës, Hamallaj, Himarë, Sarandë dhe zona të tjera turistike. ©Lapsi.al
