
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas qëndrimit të zëdhënëses së Komisionit Evropian se deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër "nuk mbështesin qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve" midis Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
“A e keni fjalën për dialogun që nënshkruat edhe për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, a e keni fjalën për atë dialog? Apo e keni fjalën për mungesën e dialogut dhe reagimet tuaja ndaj arrestimeve të përditshme të serbëve, keqtrajtimit të përditshëm të serbëve, persekutimit të përditshëm të serbëve, prishjes së shtëpive serbe, a e keni fjalën për këtë? Dhe pastaj u kujtuat nëse dikush do t’i ndryshonte apo jo rrjedhën e ujit”, - pyeti Vuçiç me ironi.
Ai deklaroi se ndryshimi i rrjedhës së ujit është ende larg dhe se duhet të formohet një grup pune dhe të gjenden ekspertë.
“Ne tashmë kemi disa ekspertë. Na duhen edhe ata, kështu që le të shohim se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë. Por ata reaguan menjëherë ndaj kësaj, për të mbrojtur “shërbëtorët e tyre shqiptarë” dhe për t’u thënë edhe një herë: “vazhdoni të kryeni krime”, - tha Vuçiç.
Ai deklaroi se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Milan Mojsilović ka diskutuar me Komandantin e KFOR-it Özkan Ulutaş lidhur me këtë çështje.
“Mojsiloviqi foli me njerëz nga KFOR-i, me komandantin Ulutaš, një turk, i cili tha “pa problem, policia e Kosovës do të punojë me ne...”.
Vërtet, pa problem? Në rregull, tani e shohim pse bëtë gjithçka që bëtë në vitin 1999. I kuptojmë të gjitha dhe nuk ka ndonjë filozofi të madhe, gjithçka është në rregull.
Nga kjo perspektivë, të paktën e dimë me kë kemi të bëjmë. Thjesht mos u shtirni se jeni këtu për ndonjë lloj dialogu apo diçka të tillë, sepse nuk jeni për dialog”, - theksoi Vuçiqi.
“Kjo ishte ndoshta biseda më e keqe midis Gjeneral Mojsiloviqit dhe komandantit të KFOR-it deri më tani”, theksoi Vuçiq.
Ai tha se nëse do të ishin pro dialogut, shqiptarët do t’i kishin përmbushur detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes së Brukselit, dhe ata kishin vetëm një detyrim – Marrëveshjen e Brukselit.
"Dhe gjithçka u bë që ne ta përmbushnim, në mënyrë që ata të përmbushnin atë detyrim të vetëm. Dhe ata nuk e përmbushën atë, dhe kurrë nuk u shkoi ndërmend atyre ta përmbushnin. Dhe ata thonë se nuk u shkoi ndërmend kurrë.
Dhe ju u jepni gjithçka tjetër vetëm sepse doni ta dëboni Serbinë nga Kosova. Dhe ju ende na kërkoni t'ju kërkojmë falje dhe t'ju themi sa të sjellshëm jeni, por ne jemi “të këqij” dhe nuk dimë çfarë po bëjmë", - tha presidenti.
Ai theksoi se jetojmë në një botë kaq hipokrite ku njerëzit pyesin veten pse dikush tjetër tha se nuk do ta respektonte integritetin territorial të një vendi tjetër, ndërkohë që nuk do ta respektonte Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe integritetin e Serbisë.
"Ata as nuk i respektojnë kontratat dhe marrëveshjet që kanë arritur dhe nënshkruar. Dhe ende po më japin leksione. Pra, nëse i jepni leksione dikujt tjetër, harrojeni me mua. Ky është mesazhi im për ta", - tha Vuçiç.
Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha më herët se deklaratat për një ndryshim të mundshëm në rrjedhën e ujit të Ibrit nuk kontribuojnë në "qëllimin e vendosjes së marrëdhënieve normale midis Kosovës dhe Serbisë" dhe se kjo mund të arrihet "vetëm përmes dialogut". ©LAPSI.al