Flash

Raporti: Shqipëria me ujërat më të ndotura të plazheve në Europë

Lapsi.al 18 June 2026

Teksa i gjithë bregdeti shqiptar po mbushet me ndërtime, institucionet qeveritare nuk po mendojnë për një element shumë të rëndësishëm për ata që po i blejnë këto banesa apo vila, shumë prej të cilëve janë të huaj: ku do të lahen?!

Në Shqipëri, vetëm 16% e ujërave në plazhe janë të një cilësie të shkëlqyer, sipas një raporti të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit, që ka matur cilësinë e ujërave bregdetare sipas shteteve për vitin 2025.

Kjo përqindje është më e ulëta në të gjithë Europën. Vendi i dytë pas nesh, Estonia, ka 40% të ujërave me cilësi të shkëlqyer, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës rreth 80% e ujërave konsiderohen me cilësi të shkëlqyer.

Shqipëria ka edhe një nivel shumë të lartë të ujërave me cilësi të dobët, në 23%, kur në vendet e tjera kjo peshë nuk i kalon 3% — përveç Estonisë, me 6.7%.

Edhe në raportin e vitit 2024, vetëm 16% e ujërave kishin cilësi të shkëlqyer. Ky rezultat përfaqëson një përkeqësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, kur rreth 41% e pikave të notit në vend ishin të klasifikuara me këtë nivel të lartë.

Për më tepër, raporti nënvizon se disa prej pikave më problematike ndodhen përgjatë vijës bregdetare, e cila është kthyer në një magnet për turizmin ndërkombëtar vitet e fundit.

Europë

Plazhet, liqenet dhe lumenjtë e Europës vijojnë të marrin vlerësime të larta për cilësinë e ujit, me shumicën dërrmuese të zonave të plazhit që përmbushin kërkesat e BE-së, sipas Raportit për Ujërat e Larjes 2025.

Nga Irlanda në Estoni e deri në Qipro, 96% e të gjitha zonave europiane të monitoruara përmbushën standardet minimale të cilësisë, ndërsa vetëm 1.5% u vlerësuan me cilësi “të dobët”.

Cilësia e ujërave bregdetare për larje rezulton përgjithësisht më e mirë krahasuar me lumenjtë dhe liqenet. Në BE, 88% e ujërave bregdetare u klasifikuan si “shkëlqyer”, kundrejt 78% të ujërave të brendshme.

Sipas raportit, kjo lidhet me karakteristikat e shumë ujërave të brendshme në Europën Qendrore, të cilat përbëhen nga liqene të vegjël, pellgje dhe lumenj me rrjedhje të ngadaltë.

Këto trupa ujorë janë më të ndjeshëm ndaj ndotjeve afatshkurtra që lidhen me reshjet e dendura ose thatësirën, veçanërisht gjatë verës.

Cilësia e ujërave të larjes klasifikohet si “shkëlqyer”, “e mirë”, “e mjaftueshme” ose “e dobët”, bazuar në nivelet e zbuluara të E. coli dhe enterokokëve intestinalë — tregues kryesorë të ndotjes fekale, që sinjalizojnë rreziqe për shëndetin.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, ekspozimi ndaj ujërave të ndotura të larjes mund të shkaktojë probleme gastrointestinale, si shqetësime në stomak dhe diarre, si edhe infeksione të veshit, syve dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Ku gjenden ujërat më të mira për not? Po vendet me cilësi më të dobët?

Vendi me cilësinë më të mirë të ujërave në përgjithësi ishte Qiproja, ku 100% e ujërave u klasifikuan si “shkëlqyer”. Pas saj renditen Greqia me 97.1%, Bullgaria me 96.9% dhe Austria me 96.5%.

Ujërat bregdetare të Lituanisë dhe Sllovenisë u vlerësuan gjithashtu me cilësi “shkëlqyer”; megjithatë, ujërat e brendshme ulën rezultatin e përgjithshëm të këtyre vendeve.

Sa u përket liqeneve, lumenjve dhe pellgjeve, cilësia më e mirë u regjistrua në Austri dhe Finlandë, ku rreth 95% e ujërave të brendshme u klasifikuan si “shkëlqyer”.

Danimarka (94.3%), Luksemburgu (94.1%) dhe Gjermania (91.5%) plotësojnë pesëshen e vendeve me ujërat më të mira.

Në tre vende të BE-së — Estoni, Holandë dhe Francë — 3% ose më shumë e ujërave të larjes u klasifikuan me cilësi “të dobët” në vitin 2025.

Vetëm katër vende të tjera kishin më pak se 70% të ujërave me cilësi “shkëlqyer”: Estonia (56.9%), Polonia (58.7%), Hungaria (64.0%) dhe Belgjika (67.9%).

Nëse merren parasysh vetëm ujërat e brendshme, vendi me cilësinë më të ulët ishte Spanja. Mbi 11% e lumenjve dhe liqeneve të saj u klasifikuan me cilësi “të dobët”, ndërsa vetëm 53.1% u vlerësuan si “shkëlqyer”, përqindja më e ulët në këtë kategori.

Sllovenia, Portugalia dhe Kroacia gjithashtu rezultuan ndër vendet me cilësinë më të ulët të ujërave të brendshme për larje.

Lumenjtë mbeten më të vështirë për t’u monitoruar dhe mbrojtur nga ndotja.

Ujërat e lumenjve mbeten veçanërisht problematike, thekson raporti. Vetëm 47% e rreth 1,200 zonave të përcaktuara për larje në lumenj në Evropë arritën cilësi “shkëlqyer” në vitin 2025.

Raporti identifikon urbanizimin e shpejtë dhe ndotjen gjatë Revolucionit Industrial si faktorët kryesorë që kanë çuar në përkeqësimin e cilësisë së ujit në shumë lumenj evropianë.

Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në cilësinë e ujërave të larjes në lumenj janë ndotjet afatshkurtra pas reshjeve të dendura, përfshirë derdhjet nga sistemet e kombinuara të kanalizimeve dhe rrjedhjet e ujërave të shiut, ndotja nga bujqësia, si dhe ndotja fekale nga kafshët e egra dhe bagëtitë që kanë akses në brigjet e lumenjve.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, cilësia e ujit në shumë lumenj dhe trupa ujorë urbanë është përmirësuar gradualisht falë politikave evropiane për ujërat, duke bërë që larja në lumenj të jetë tashmë e mundur në disa qytete europiane. /Monitor 

 

Të këshilluara

ide

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

94.62

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI