
“Nëse Europa përgatitet për luftë me Rusinë, Moska do të përgjigjet.” Ky ishte paralajmërimi i presidentit rus Vladimir Putin, i cili akuzoi disa vende europiane se po rrisin përgatitjet ushtarake dhe po e çojnë kontinentin drejt një përballjeje më të rrezikshme. Gjatë një takimi të Komisionit Ushtarak-Industrial, Putin deklaroi se disa udhëheqës europianë po flasin hapur për përgatitje për luftë me Rusinë. Ai iu referua edhe stërvitjeve ushtarake që po zhvillohen në Europë.
“Le të jetojmë në paqe; përndryshe, do të duhet të përgjigjemi edhe ne”, deklaroi Putin.
Presidenti rus e cilësoi zgjerimin e NATO-s si një nga kërcënimet kryesore për Moskën. Megjithatë, ai pretendoi se Rusia nuk ka synime agresive dhe nuk ka arsye të sulmojë vendet europiane. Putin akuzoi gjithashtu autoritetet ukrainase se po pengojnë rifillimin e negociatave të paqes. Kreu i Kremlinit u ndal edhe te programi i ri rus i armatimit. Ai tha se forcimi i arsenalit bërthamor strategjik mbetet një nga prioritetet kryesore të Moskës, duke pretenduar se 92% e forcave strategjike raketore të Rusisë janë modernizuar.