Flash

Kush janë Kerjota e Sina, dy debutuesit e thirrur në Kombëtare nga Maran: habit mbrojtësi 19 vjeçar

Sabah Kerjota dhe Samuele Sina. Dy lojtarë me profile krejt të ndryshme, por me një element të përbashkët: të dy kanë ardhur në vëmendjen e stafit kuqezi përmes paraqitjeve të tyre në futbollin italian dhe britanik.

Lapsi.al 19 September 2026

Lista e parë e Rolando Maran sjell edhe dy emra të rinj për Kombëtaren shqiptare: Sabah Kerjota dhe Samuele Sina. Dy lojtarë me profile krejt të ndryshme, por me një element të përbashkët: të dy kanë ardhur në vëmendjen e stafit kuqezi përmes paraqitjeve të tyre në futbollin italian dhe britanik.

Sabah Kerjota, nga Serie D te derbi i Edinburgut

Sabah Kerjota është një nga risitë e Maran për Kombëtaren shqiptare. 25-vjeçari nga Shkodra luan si anësor te Hearts në Premier League-n skoceze, por rrugëtimi i tij drejt elitës ka qenë gradual. I formuar te Vllaznia, Kerjota u largua drejt Italisë në vitin 2018, ku luajti për disa klube të kategorive të ulëta. Te Clitunno shpërtheu me 15 gola në 22 ndeshje, ndërsa më pas kaloi te Ancona, Montefano dhe Vigor Senigallia.

Sezoni 2022-23 do të ishte një pikë kthese: me Vigor Senigallia shënoi 9 gola dhe dha 13 asistime, duke u shpallur lojtari i ri më i mirë i Serie D. Në verën e vitit 2024 kaloi te Sambenedettese, ku realizoi 10 gola në 36 ndeshje dhe ndihmoi skuadrën të siguronte ngjitjen në Serie C. Më pas erdhi hapi i madh në Skoci. Në sezonin 2025-26 iu bashkua Hearts dhe u bë protagonist që në derbin e parë të Edinburgh-ut ndaj Hibernian. Edhe pse kishte vetëm dhjetë minuta në fushë, Kerjota dha asistimin për golin e fitores në minutat e fundit. Në një tjetër përballje me Hibs, ai kontribuoi me dy asistime në fitoren 2-1 të Hearts.

Samuele Sina, 19-vjeçari që vjen nga Serie C

Samuele Sina është edhe më i ri. Mbrojtësi i datëlindjes 14 shkurt 2007, i lindur në Iseo të Italisë, është 1.89 metra i gjatë dhe luan kryesisht si qendërmbrojtës. Aktualisht është pjesë e Union Brescia në Serie C, ku mban fanellën me numrin 95. Sina e ka kaluar pjesën më të madhe të formimit në Itali, ndërsa ka qenë pjesë e akademive të Union Brescia dhe FeralpiSalò. Në sezonin 2025-26 u huazua te Ospitaletto, ku fitoi eksperiencë në Primavera 2, përpara se të rikthehej te Union Brescia për sezonin e ri.

Edhe pse vetëm 19 vjeç, Sina tashmë ka nisur të marrë minuta në futbollin profesionist. Në fillimin e sezonit 2026-27 ka regjistruar tre paraqitje në Serie C dhe ka shënuar dy gola, ndërsa në fitoren 1-0 ndaj Pergolettese më 30 gusht luajti 90 minuta dhe shënoi golin në minutën e 99'. Lidhja e tij me Shqipërinë nuk është e re: Sina ka përfaqësuar Kombëtaren U17 dhe U19, ndërsa thirrja nga Maran përfaqëson hapin e radhës drejt ekipit kombëtar A.

Dy profile, dy histori

Kerjota dhe Sina nuk kanë shumë të përbashkëta në mënyrën se si kanë mbërritur deri këtu. Kerjota është 25 vjeç dhe ka kaluar vite në futbollin e kategorive të ulëta italiane përpara se të fitonte një vend në një kampionat të nivelit më të lartë në Skoci. Sina, në të kundërt, është 19 vjeç dhe po ngjit shkallët shumë më shpejt, nga akademia te futbolli profesionist dhe tashmë te Kombëtarja A.

Njëri është një sulmues krahu që ofron shpejtësi, asistime dhe kontribut në fazën ofensive; tjetri është një qendërmbrojtës i ri, fizikisht i kompletuar dhe me aftësi për të luajtur edhe si mbrojtës i djathtë në një skemë me tre.

Pikërisht këto dy histori e bëjnë interesante thirrjen e tyre të parë nga Marani: Kerjota vjen pas një ngjitjeje të gjatë drejt nivelit të lartë, ndërsa Sina po shfrytëzon një shpërthim të shpejtë në futbollin profesionist për të kaluar në një tjetër nivel të karrierës.

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI