
Në nxitimin për ta rrëmbyer Aeroportin e Vlorës, qeveria shqiptare po ndërmerr veprime gjithnjë e më të rrezikshme juridikisht, pa u ndalur përpara faktit se çdo hap i gabuar sot mund t’u kushtojë nesër qindra milionë euro qytetarëve shqiptarë në arbitrazh.
Në të njëjtën ditë kur përplasja me koncesionarin prodhoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë nga arbitri i emergjencës i caktuar në procedurë nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Londër Cecilia Carrara, ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi firmosi një shkresë ku ai praktikisht nis përgatitjet për një skenar të dorëzimit të aeroportit.
Dokumenti nr. 7542, i datës 17 shtator 2026, iu drejtua Vlora International Airport, MABCO-s, 2A Group dhe Bankës Kombëtare Tregtare. Që në fillim, Ministria shpalli si fakt të kryer se “zgjidhja e Kontratës Koncesionare është bërë efektive”. Më pas kërkoi nga VIA që të ndërmarrë “hapat e duhur përgatitorë dhe organizativë” në mënyrë që, nëse tribunali i arbitrazhit lejon ushtrimin e të drejtave të Ministrisë sipas nenit 15.8, dorëzimi eventual i objektit të kryhet në mënyrë të rregullt.
Në pamje të parë, ministria është kujdesur ta shkruajë dokumentin duke mos kaluar formalisht vijën e kuqe të arbitrazhit. Ministria saktëson se “nuk po kërkon posedimin e asnjë aseti, dokumenti, objekti, punimi, pasurie apo funksioni operacional” dhe as “transferimin e kontrollit”, duke pranuar kështu praktikisht kufizimet që i vendosi urdhri i arbitrit. Por thënë këtë, Karakaçi kërkon praktikisht nisjen e procedurave të sekuestrimit, pra që deri më 25 shtator të ketë në dispozicion një protokoll dorëzimi, ku të përcaktohen hapat konkretë për inventarizimin e aseteve, pajisjeve, dokumenteve dhe të dhënave të aeroportit; ruajtjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme; ndërprerjen e çdo aktiviteti ndërtimor dhe përgatitjet logjistike për “tranzicionin” e ardhshëm.
Pra, meqënëse aeroportin nuk e rrëmben dot sot, qeveria po kërkon që koncesionari të përgatitet për ditën kur të fillojë dorëzimet.
Por në anën tjetër, urdhri i arbitrit të emergjencës në çështjen e VIA-s në Londër i ndaloi përkohësisht qeverisë marrjen e posedimit apo kontrollit operacional të aeroportit, marrjen e aseteve dhe zëvendësimin e koncesionarit me një operator tjetër, deri sa tribunali i arbitrazhit të ketë mundësi ta rishqyrtojë situatën. Ky kufizim është raportuar edhe publikisht pas vendimit të 16 shtatorit.
Ndërkohë, në procedurën tjetër, atë të MABCO-s, Cecilia Carrara shkoi edhe më tej. Në emailin që u dërgoi palëve mbrëmjen e 17 shtatorit, ajo i ritheksoi MIE-së që të mos ndërmarrë gjatë procedurës së emergjencës asnjë veprim lidhur me përfundimin e koncesionit që mund të “përkeqësojë mosmarrëveshjen” ose “rrezikojë këto procedura”.
Në shkresën e saj, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjiës është përpjekur ta shmangë shkeljet e urdhrit me të dyja këmbët, duke shkruar se kërkesa synon vetëm “planifikimin dhe gatishmërinë paraprake” dhe se çdo tranzicion i ardhshëm do të kryhet vetëm nëse lejohet.
Por dokumenti tregon diçka tjetër: qeveria vazhdon të punojë mbi premisën se kontrata ka marrë fund dhe se destinacioni i ardhshëm është dorëzimi i aeroportit, jo rikthimi i palëve në tryezë.
Kjo është krejt e kundërta e asaj që kërkoi publikisht Behgjet Pacolli, i cili deklaroi më 17 shtator se MABCO “nuk ka synuar zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes arbitrazhit” dhe i kërkoi qeverisë “dialog institucional dhe konstruktiv”./Lapsi.al

