
Shqipëria shkon drejt një turi force në Nation League, ku duhet të luajë katër ndeshje radhazi dhe tekniku i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka shpjeguar në konferencën për shtyp zgjedhjet e tij për listën e fundit të kuqezinjve, duke u ndalur veçanërisht te mungesa e thirrjes së Armando Brojës dhe Nedim Bajramit, por edhe te dy debutuesit Sabah Kerjota e Samuele Sina dhe rikthimi i Etrit Berishës.
Sa i përket Brojës dhe Bajramit, Maran theksoi se vendimi është marrë duke parë situatën aktuale të secilit lojtar dhe se dera e Kombëtares nuk është mbyllur për ta. "Sa i përket Brojës e Bajramit, vlerësova kushtet e përgjithshme, momentin. Nuk është derë që mbyllet. Kam folur me ta, në këtë moment kam bërë zgjedhje të ndryshme. Janë zgjedhje të diktuara nga momenti dhe kaq”, u shpreh Maran. Pra, italiani nuk e konsideron këtë një vendim përfundimtar për dy lojtarët, por një zgjedhje që lidhet me momentin aktual dhe me atë që ai ka vlerësuar për këtë grumbullim.
Maran për Kerjotën: E kemi vëzhguar që nga sezoni i kaluar
Një nga risitë e listës është Sabah Kerjota. Sulmuesi i krahut, që luan në Skoci me Hearts, ka qenë prej kohësh në vëzhgimin e stafit të Kombëtares. “Kerjotën e kemi vëzhguar që nga sezoni i kaluar ku ka qenë protagonist me ekipin e tij. Me klubin pothuajse arritën të fitojnë kampionatin, ka karakteristika që mund të ndihmojnë skuadrën”, tha tekniku Maran, i cili pranoi se ndjekja e lojtarëve që aktivizohen në kampionate të ndryshme nuk është gjithmonë e thjeshtë, ndaj grumbullimi i tyre i jep stafit mundësinë t’i shohë më nga afër. "Pak e vështirë dhe e lodhshme që të ndjekësh lojtarë që luajnë në kampionate të ndryshme. Prandaj kisha dëshirë që disa nga këto lojtarë t’i kisha në grumbullim, që t’i shikoja nga afër”, u shpreh ai.
Për Sinën, Maran zbuloi se mbrojtësi i ri është futur së fundmi në evidencën e stafit dhe se paraqitjet e tij në një kampionat të vështirë kanë tërhequr vëmendjen. “Sina është vendosur në evidencë në kohët e fundit, luan në një kampionat të vështirë. Ka qenë protagonist dhe ka shënuar. Në aspektin difensiv mund të kemi mungesa dhe vështirësi”, tha trajneri. Megjithatë, Maran nuk e konsideron ende të përcaktuar të ardhmen e 19-vjeçarit me Kombëtaren A. Sipas tij, duhet parë fillimisht paraqitja e tij në këtë grumbullim dhe nëse do të ketë vazhdimësi në ekipin e parë apo do të rikthehet te U-21. “Mbetet për t’u vlerësuar nëse do ketë vazhdimësi me skuadrën tonë apo mund të vazhdojë me U-21”, shtoi Maran.
Rikthehet Berisha: “Nuk duhet të shoh moshën”
Një tjetër vendim që ka tërhequr vëmendjen është rikthimi i Etrit Berishës. Portieri është grumbulluar pas një periudhe mungese, ndërsa Maran e lidhi zgjedhjen edhe me mungesën e Thomas Strakoshës. “Berisha është lojtar që po tregon se është mirë, kam folur me të. Kemi edhe mungesën e Strakoshës dhe vlerësova portierët më të mirë që ishin në këto momente dhe ai hyn mes tyre. E telefonova dhe ishte i lumtur”, deklaroi trajneri. Maran theksoi se për të nuk është mosha ajo që përcakton një grumbullim, por forma dhe ajo që një lojtar mund t’i japë ekipit. “Me të fola qartësisht se është një lojtar i cili nëse shkon në fushë e mbron ekipin e tij do të thotë që është në formë të mirë dhe nuk është se duhet të shoh moshën, si të jetë 17 apo 37. Unë e vlerësoj mes portierëve më të aftë të Shqipërisë”, tha ai.
Trajneri shtoi se, nëse Strakosha do të ishte i gatshëm, edhe ai do të ishte pjesë e listës, ndërsa konkurrenca për vendin në portë do të përcaktohet nga forma. “Nëse do ishte Strakosha, do vinte gjithsesi. Do vinte gjithsesi e do zgjidhja kush është më mirë, kam shumë besim te potenciali i tij. Do të kuptoj nëse meriton të luajë më shumë ai apo tjetër, mendoj se është pjesë e ligjit të sportit dhe është e drejtë kështu”, u shpreh Maran.
Maran: Dua një skuadër që lufton deri në fund
Në fund, trajneri foli edhe për atë që pret të shohë në fushë nga Kombëtarja shqiptare. Përtej emrave dhe zgjedhjeve individuale, Maran kërkon një skuadër që të përballojë ndeshjet me angazhim maksimal. “Pres të shoh një skuadër që lufton, të shkojë në fushë, të bëjë ndeshjen dhe të tregojë se jemi më të aftë se kundërshtarët, nëpërmjet lojës, vuajtjes. Dua të shoh që çdo lojtar të lërë çdo pikë djerse në fushë. Nëse e bëjmë këtë, do të kemi mundësinë të gëzohemi në fund të ndeshjes”, përfundoi Maran.