Flash

Kundërofensiva ukrainase “shpartallon” forcat ruse

Lapsi.al 17 September 2026

Diku nga fundi i majit, teksa pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia mbushte pothuajse katër vjet e gjysmë që kur kishte nisur dhe sezoni veror i luftimeve po hynte në fazën më intensive, komandantët ukrainas urdhëruan, në heshtje, disa nga njësitet më me përvojë në luftime që të dislokoheshin rreth 50 kilometra në veri të qytetit Sllovjansk, në rajonin e Donjeckut.

Njësitet, kryesisht nga Korpusi i Tretë i Ushtrisë së Ukrainës, u ballafaquan në vijën e frontit të gjatë prej 1.100 kilometrash ku Ushtria e 20-të e Rusisë po përparonte ngadalë drejt perëndimit, duke u nisur nga një urë kyç në bregun perëndimor të lumit Zherebets, mes fshatrave, tokave bujqësore dhe kodrave.

Synimi i Rusisë ishte të ndërpriste linjat e furnizimit për forcat ukrainase në Sllovjansk, një nga dy qytetet kryesore që është nën kontrollin ukrainas në rajonin e Donjeckut. Gjatë muajve të verës, forcat ukrainase luftuan në drejtim të veriut nga qyteti Liman, teksa në të njëjtën kohë bën përparim nga jugu drejt fshatrave Ridkodub, Katerinivka dhe Nove.

Kjo përpjekje, sipas hulumtueseve me burime të hapura, ekspertëve që kanë udhëtuar në fushëbetejë, si dhe blogerëve ukrainas dhe rusë të luftës, po shkon drejt një suksesi të jashtëzakonshëm për forcat ukrainase: Një pjesë e madhe e forcave ruse në këtë zonë është zmprapsur deri te lumi Zherebets, ndërsa grupe të vogla ushtarësh janë rrethuar dhe ka gjasa të kapen ose të vriten në ditët në vijim.

Sipas vlerësimeve, kjo po shndërrohet në një nga ndryshimet më të mëdha në fushëbetejë gjatë muajve të fundit, ndoshta edhe gjatë një viti.

Për momentin, ky sukses lehtëson një pjesë të presionit mbi mbrojtjen ukrainase, e cila po përpiqet të mbajë vijën e frontit në qytete, qyteza dhe rrugë që shtrihen nga veriu në jug dhe përfshijnë Sllovjanskun dhe qytetin Kramatorsk, një zonë e njohur si “aglomeracioni”.

Për më tepër, ofensiva gati katërmujore u zhvillua në një terr të pazakontë informativ, pasi pothuajse asnjë informacion nuk shkoi te blogerët e luftës në Telegram në Ukrainë apo Rusi deri në ditët e fundit.

“Ukrainasit rimorën një pjesë të territorit. Rusia humbi më shumë territor”, tha për Radion Evropa e Lirë, Konrad Muzyka, ekspert ushtarak me bazë në Poloni, i cili ka kaluar shumë kohë në vijat e frontit në Ukrainë.

“Është e rëndësishme, jo për shkak të asaj që po ndodh rreth Lomanit, por sepse mendoj se kjo pengoi një plan të madh rus që synonte ta rrethonte aglomeracionin Sllovjansk-Kramatorsk nga veriu dhe jugu”.

“Rusët vazhdojnë të përpiqen ta rrethojnë” të gjithë rajonin e Donjeckut, tha Dara Massicot, eksperte për ushtrinë ruse në Carnegie Endowment for International Peace, një institut me seli në Uashington. “Për momentin, duket se përpjekja nga veriu është bllokuar”.

Ndërkaq, një sërë kanalesh ruse të luftës në Telegram ka vënë po ashtu në pah përparime të konsiderueshme ukrainase.

“Një shpartallim në frontin e Limanit”, tha një nga blogerët e njohur në Telegram, Anatoly Shariy.

“Situata në Liman është alarmante”, tha Rybar, një bloger në Telegram që më parë ka qenë i lidhur me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

“Pësuam një humbje të pakëndshme taktike”, tha një kanal tjetër, i quajtur Dnevnik Desantnika. “Megjithatë, rrethimi nuk ndodhi. Pjesa më e madhe e personelit tonë u tërhoq dhe tani gjithçka varet nga fakti nëse forcat [ukrainase] mund ta shfrytëzojnë këtë sukses në lindje të lumit Zherebets”.

Të paktën një bloger pro-rus, Yury Kotenok, u ankua veçmas për mungesën e informacionit që kishte rrjedhur nga burimet ukrainase.

“Ukraina po zhvillon një ofensivë pranë Limanit në terr informativ”, shkroi ai. “Heshtja nga ana jonë tashmë është e zakonshme, por nga ana e armikut duket disi e pazakontë, gjë që është shqetësuese. Këtu kemi një strategji të qëllimshme heshtjeje”.

Zyra për media e ushtrisë ukrainase refuzoi të komentonte, duke thënë se operacionet janë në zhvillim e sipër. Por, në një deklaratë të publikuar më 15 shtator, komandanti i Korpusit të Tretë të Ushtrisë, Andriy Biletskiy, e konfirmoi, në vija të përgjithshme, kundërofensivën.

“Ne konfirmojmë raportimet për një ofensivë të Ushtrisë së Ukrainës në veri të rajonit të Donjeckut. Duke mbajtur fshehtësinë e informacionit, njësitë eliminuan zonat e infitrimit të armikut”, citohet të ketë thënë ai.

“Aktualisht ka shumë informacione në burime të hapura që sugjerojnë se qëllimi përfundimtar i operacioneve tona ofensive është të arrijmë në brigjet e lumit Zherebets... Do të ketë lajme të mira”.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Suksesi në fushëbetejë nuk ka gjasa të përkthehet në ndonjë ndryshim më të gjerë strategjik për Ukrainën, thanë ekspertët ushtarakë. Në përgjithësi, Kievi mbetet në disavantazh, pasi ka më pak trupa dhe në shumë zona ka më pak armatim se Rusia.

Pavarësisht humbjeve jashtëzakonisht të mëdha dhe humbjes së terrenit në disa zona, Rusia vazhdon të përparojë ngadalë përgjatë disa pjesëve të frontit. Komandantët ushtarakë i kanë dhënë përparësi përpjekjes për të pushtuar Sllovjanskun dhe Kramatorskun, gjë që do t’u jepte kontrollin mbi të gjithë rajonin e Donjeckut dhe mbi të gjithë Donbasin.

Ky është prioritet për Putinin dhe Kremlinin. Rusia është zotuar se do ta pushtojë me forcë të gjithë Donbasin nëse Ukraina refuzon ta dorëzojë territorin që ende mban nën kontroll, një kërkesë që Kievi e ka hedhur poshtë. Çështja e kontrollit territorial në Donbas është një nga pengesat kryesore në përpjekjet për paqe, që udhëhiqen nga SHBA-ja. Megjithatë, viti 2026 ka qenë relativisht stabil për trupat ukrainase në vijën e frontit. Në disa zona, Kievi ka rimarrë më shumë territor sesa Rusia ka fituar.

Suksesi i kundërofensivës në Liman nxjerr në pah gjithashtu aftësitë luftarake të disa prej njësiteve më të mira të Ukrainës përfshirë Korpusin e Tretë të Ushtrisë si dhe disa nga problemet e vazhdueshme të Rusisë në fushëbetejë, veçanërisht teksa dërgon në front vullnetarë të rinj, që u janë nënshtruar trajtimeve minimale.

“Mendoj se kjo tregon se rusët mund të përqendrohen [vetëm] në një sektor kryesor në të njëjtën kohë, i cili aktualisht është në Donjeckun jugor. Kjo herë pas here krijon disa pika më të dobëta diku tjetër, të cilat mund të shfrytëzohen”, tha Massicot.

“Kam përshtypjen se Ushtria e 20-të e Kombinuar nuk ishte më e forta dhe kështu mund të ketë qenë një pikë e mirë [për Ukrainën] ku të shtynte përpara”, tha ajo.

“Ukraina tani, në mënyrë efektive, e ka eliminuar kërcënimin e rrethimit të [Limanit] dhe po kërcënon daljen e forcave ruse në veri të qytetit”, tha Black Bird Group, një organizatë hulumtuese me seli në Finlandë.

“Fushata verore ruse e vitit 2026 mund të konsiderohet një dështim”, tha Emil Kastehelmi, bashkëthemelues i organizatës./REL

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI