
Pak minuta pasi presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian mbajti fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, delegati i vetëm amerikan që ishte në sallë doli jashtë.
Pezeshkian e filloi fjalimin e tij duke kundërshtuar deklaratat e djeshme të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ai tha se presidenti Trump i përshkroi si “terroristë”, por sipas tij iranianët kanë qenë “viktima të terrorizmit”.
“Shtetet e Bashkuara, duke përdorur armë me koka të shumta bërthamore, vunë në shënjestër atë palestër sportive. Ata martirizuan, vranë shkencëtarët tanë, burrat, gratë dhe fëmijët tanë. Fëmijë të pafajshëm të cilët, në të vërtetë, nuk kishin kryer asnjë krim, asnjë mëkat”, tha Pezeshkian, ndërsa në këtë moment delegati amerikan u ngrit dhe u largua.
Ndërkohë, ndër të tjera gjatë fjalimit të tij, presidenti iranian tha se vendi i tij po kërkon teknologji bërthamore për përparim dhe jo ??për të kërcënuar shoqëritë me armë.
“Ne kërkojmë energji për progress”, tha Pezeshkian, duke kundërshtuar sanksionet ndërkombëtare dhe atë që ai e përshkroi si "stigmatizim të programit bërthamor të Iranit".
“Por për vendin tonë, teknologjia bërthamore paqësore është pjesë e progresit tonë të natyrshëm”, tha Pezeshkian, duke përmendur nevojat për përparime në industri, përfshirë bujqësinë dhe furnizimin me energji elektrike.
Pezeshkian tha gjithashtu se sistemet mbrojtëse të Iranit janë një domosdoshmëri për të mbrojtur vendin nga sulmet.
“Irani duhet të jetë i fuqishëm, në mënyrë që të shmangë kërcënimin, për të shmangur kërcënimin e së ardhmes së tij. Sistemet tona mbrojtëse janë ndërtuar në mënyrë të tillë që askush të mos mendojë se bombardimi i qyteteve iraniane do të mbetet pa përgjigje. Kjo është arsyeja pse ne kemi fuqinë ushtarake që kemi për mbrojtje.", tha ai.
Presidenti iranian gjatë fjalimit të tij u bëri thirrje vendeve anembanë botës të punojnë së bashku në kërkim të paqes.
“Irani i shtrin dorën botës, ne e ftojmë botën. Ne i bëjmë thirrje botës, jo nga dobësia, por nga një besim i thellë në fuqinë dhe vendosmërinë tonë për të bashkëpunuar dhe bashkëpunuar, për shkak të një besimi të thellë se askush në këtë rajon nuk do të ketë siguri i vetëm”, tha ai.