Flash

Iluzioni i produktivitetit të inteligjencës artificiale

Lapsi.al 23 September 2026

Nga Yanis Varoufakis, Project Syndicate

A është inteligjenca artificiale një flluskë? Gjithçka varet, na thuhet, nga fakti nëse investimet masive në këtë teknologji do ta rrisin edhe produktivitetin në mënyrë po aq masive. Ata më optimistët janë të bindur se përfitimet e ardhshme në produktivitet do të jenë kolosale, edhe nëse një korrigjim i tregut është i nevojshëm për të ulur disi temperaturën e bumit aktual. Pesimistët, nga Jim Covello i Goldman Sachs te Daron Acemoglu i MIT-së, kanë dyshimet e tyre. Por si optimistët, ashtu edhe pesimistët, janë pushtuar nga ajo që unë e quaj iluzion i produktivitetit të AI-së.

 
Ajo që të dyja palët nuk kuptojnë është se AI-ja do ta tronditë kapitalizmin edhe nëse e rrit produktivitetin përtej çdo imagjinate — dhe pavarësisht nëse arrin apo jo automatizimin e premtuar të proceseve të përditshme të kompanive në të gjithë ekonominë. Arsyeja pse priremi të mos e kuptojmë këtë pikë është se e shohim botën e sotme me lentet e një bote tjetër, të cilën kapitali ‘cloud’, sidomos tani që është fuqizuar nga AI-ja, e ka bërë të vjetruar.

Deri vonë, merrej si e mirëqenë se çdo revolucion teknologjik përfaqësonte një moment të shkatërrimit krijues. Sektorë të tërë, profesione dhe aftësi zhdukeshin nga inovacionet, të cilat sillnin sektorë, profesione dhe aftësi të reja. Automobili shkatërroi zejtarët e pajisjeve për kuaj, patkonjexhinjtë dhe kasapët e kafshëve të ngordhura, por krijoi punëtorët e industrisë së makinave, ndërtuesit e rrugëve, mekanikët dhe punonjësit e pikave të karburantit. Kalimi nga qymyri te nafta dënoi komunitete të tëra minerare, për të mos folur për sindikatat, me zhdukje. Megjithatë, në terma neto, u krijua më shumë sesa u shkatërrua. Shkatërrimi krijues u bë sinonim i rritjes ekonomike.

Përballë valës së AI-së, është e natyrshme të përqendrohemi te efekti i saj neto. A do të krijojë më shumë sesa do të shkatërrojë? Por pyetja e vërtetë është: “Më shumë çfarë?” Për t’i shpëtuar iluzionit të produktivitetit të AI-së, duhet të rimendojmë mënyrën se si e përkufizojmë produktivitetin.

Nëse me produktivitet kuptojmë detyrat e kryera për njësi pune njerëzore, nuk ka kurrfarë dyshimi se AI-ja do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm — në fakt, tashmë është i tillë. Por nëse vazhdojmë ta masim produktivitetin me vlerën monetare të prodhuar për njësi pune, ka shumë gjasa që AI-ja të rezultojë një katastrofë e plotë.

Revolucionet e mëparshme teknologjike, nga motori me avull dhe automobili te kompjuteri personal dhe telefoni inteligjent, e zgjeruan fushën e tregjeve kapitaliste. Pavarësisht shkatërrimit të profesioneve dhe komuniteteve të tëra që lanë pas, ato sollën njëkohësisht më shumë prodhim material dhe një vlerë monetare totale më të lartë të atij prodhimi.

A do të bëjë AI-ja të njëjtën gjë? Ndoshta në Kinë, ku AI-ja kombinohet me robotikën, prodhimi material do të rritet dhe, të paktën në afat të shkurtër, edhe të ardhurat neto. Por në Perëndim, agjentët e AI-së po vendosen kryesisht në sektorin e shërbimeve — nga amazon.com te zyrat e administratës, firmat ligjore, spitalet e shumë të tjera. Në këto fusha, kapitali ‘cloud,’ i fuqizuar nga AI-ja mund t’i tkurrë tregjet në dy mënyra të ndryshme.

 
Mënyra e parë, ajo për të cilën shqetësohen të gjithë, është se AI-ja do të zhdukë profesione të tëra: asistentë ligjorë, programues, përkthyes, kontabilistë, madje edhe arkitektë, matematicienë dhe mësues, duke krijuar një numër më të kufizuar vendesh pune për shkrues komandash, mbikëqyrësish, inxhienerësh dhe operatorë makinerish. Mënyra e dytë është shumë më pak e dukshme, por ndoshta edhe më shqetësuese: shndërrimi i tregjeve në çifligje ‘cloyd’ dhe i fitimeve në renta.

Siç kam argumentuar prej kohësh, Amazon mund të duket si një treg, me blerës dhe shitës të panumërt brenda mureve të tij digjitale, por i mungon tipari themelor i një tregu: decentralizimi. Në fakt, ai është më i centralizuar sesa ka qenë ndonjëherë ekonomia e planifikuar sovjetike, me një algoritëm të padepërtueshëm që vendos se cili konsumator lidhet me cilin shitës, mbi bazën e një modeli probabilistik të optimizuar për të maksimizuar mundësinë që Jeff Bezos, pronari i tij, të marrë 40% të çmimit maksimal që çdo klient është i gatshëm të paguajë.

Ndërsa AI-ja integrohet gjithnjë e më thellë në algoritmin e Bezos, ndërfaqe si Alexa do të komunikojnë me ne jo vetëm si asistente në blerje, por si miq që dinë gjithçka, shoqërues dhe madje terapeutë. Së shpejti, fitimet e shitësve kapitalistë do të përfundojnë në llogarinë e ndonjë çifligari të teknologjisë në formën e rentës ‘cloud’, të cilën ai pothuajse me siguri do ta investojë në më shumë kapital ‘cloud’ të fuqizuar nga AI-ja, që do të prodhojë edhe më shumë pushtet për të nxjerrë edhe më shumë renta të tilla.

Kështu, ndërsa Siri i Apple, Gemini i Google dhe një ushtri e tërë asistentësh autonomë zhvillojnë për zotërit e tyre teknologjikë të njëjtat aftësi që Amazon i ka dhënë Bezos, hapësira e tregut kapitalist do të vazhdojë të tkurret. AI-ja do të ketë rezultuar jashtëzakonisht produktive në kuptimin e aktiviteteve ekonomike të kryera për njësi pune njerëzore, por normat e fitimit të ndërmarrjeve kapitaliste do të bien, duke ndjekur pagat totale të shoqërisë drejt fundit. Në atë pikë, asnjë nga mjetet e shtetit liberal — as lehtësimi sasior pa kufi, as nivele politikisht të realizueshme të të ardhurave bazë universale, as një taksë mbi pasurinë që zotërit e teknologjisë do ta kishin të vështirë ta shmangnin — nuk do të mund të parandalonte një kolaps sistemik.

Pyetjes nëse AI-ja do të gjenerojë fitime masive në produktivitet i përgjigjemi lehtë: Po. AI-ja tashmë po tregon se është e aftë të rrisë në mënyrë eksponenciale sasinë e punës së kryer për çdo punëtor njerëzor. Por për sa kohë përdoret për të eliminuar punën me pagë, ndërsa thith fitimet nga tregjet reale dhe i kthen në renta të reve për zotërit e teknologjisë, vlera ekonomike e prodhuar për punëtor do të bjerë ndjeshëm.

Nëse nuk bëjmë këtë dallim, iluzioni i produktivitetit të AI-së do të vazhdojë. Dhe për sa kohë që vazhdon, nuk do të jemi në gjendje të shpresojmë për një të ardhme post-kapitaliste të bollëkut, ku ne, së bashku me ndihmësit tanë të AI-së, prodhojmë sipas aftësive dhe shpërndajmë sipas nevojave.

Të këshilluara

ide

Rënia e Vlorës në shtratin e krimit

Vlora nuk është as dardhë e as pjeshkë që dikush e ha pas shpinës së kryeminstrit. Ajo është ilustrimi më eklatant se si vetë Edi Rama i ka vënë institucionet e vendit në shërbim të pushtetit të tij, që në thelb është pushteti i krimit

14:48 Armand Shkullaku

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

91.46

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI