
Protestuesit pritet të rikthehen sot në rrugët e Tiranës, ndërsa mobilizimi kundër qeverisë vijon për të 116-n ditë. Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet kërkesa kryesore, por javët e fundit lista e çështjeve të ngritura në shesh është zgjeruar. Qytetarët pritet të mblidhen pasdite dhe pas fjalimeve para Kryeministrisë, protesta do të vijojë me marshim në rrugët e Tiranës.
Krahas thirrjeve “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Ju erdhi fundi”, protestuesit kanë kërkuar hetimin e zyrtarëve të lartë dhe kanë denoncuar atë që e konsiderojnë korrupsion dhe keqqeverisje. Në protestat e fundit është shtuar edhe thirrja drejtuar të rinjve. Debati në shesh është shtrirë edhe te sistemi politik dhe mënyra e përfaqësimit. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, Reforma Territoriale, zonat e mbrojtura, Paketa e Maleve dhe investimet strategjike janë disa prej çështjeve të ngritura në fjalimet e ditëve të fundit.
Pas më shumë se tre muajsh protesta të përditshme, organizatorët deklarojnë se nuk do ta ndërpresin aksionin. Ata paralajmërojnë vijimin e tubimeve dhe marshimeve, me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama në qendër të kërkesave.