
Ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, është nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas Shqiptarja.com, SPAK e ka regjistruar procedimin më 30 tetor dhe Hyseni dyshohet se ka përfituar të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi përmes transfertave drejt një kompanie gjermane ku punon njëri prej vëllezërve të saj. Sipas raportimit, paratë dyshohet se burojnë nga një tender i AKSHI-t.
Pikënisja e hetimit ishte një fletë me shënime dore, e gjetur në ambientet e “E.A. Tobacco”, ku figuronte shuma 119.162.400 lekë, rreth 1,2 milionë euro. Një shumë identike, sipas dokumenteve të cituara, është transferuar nga “Sinteza Co” te “Enklo Construction”. “Sinteza Co”, së bashku me “Albascan”, kishte fituar një tender të AKSHI-t me vlerë rreth 18 milionë euro.
Më pas, “Enklo Construction” ka paguar 290 mijë euro për një automjet Range Rover për Agasin dhe ka transferuar 420 mijë euro te “Fortis Beton”, kompania e Orest Sotës.
Në mars 2024, “Fortis Beton” ka kryer dy transferta prej 250 mijë eurosh secila drejt kompanisë gjermane “Wilhelm & Co Planungsgesellschaft”, ku punon një vëlla i Hysenit. Pagesat janë justifikuar me projektimin e një qendre tregtare në Tiranë, e cila, sipas Shqiptarja.com, nuk është realizuar.
Një transfertë tjetër prej 450 mijë eurosh drejt “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” është anuluar më 27 shkurt 2024. Sipas raportimit, përfaqësues i kësaj kompanie është Izet Dingler, vëllai tjetër i ish-drejtoreshës së SHISH-it.
I pyetur nga hetuesit, Sota ka deklaruar se pagesat lidheshin me projektimin e një ndërtese dhe se kompaninë gjermane ia kishte sugjeruar Agasi.
Sipas Shqiptarja.com, SPAK dyshon se transfertat përbëjnë shpërblim për Hysenin në këmbim të informacioneve sekrete. Pretendimet mbeten në hetim. Prokuroria ka dërguar letërporosi në Kosovë dhe Gjermani për verifikimin e lidhjeve familjare, kompanive dhe lëvizjeve financiare.
Ndërkohë, sipas të njëjtit burim, Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi ndaj Hysenit masat “arrest në shtëpi” dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, për akuzat e nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit. Ajo akuzohet se ka ndihmuar Agasin gjatë arratisë.
Agasi përballet me disa akuza në dosjen e AKSHI-t, përfshirë korrupsionin, shkeljen e barazisë në tendera dhe grupin e strukturuar kriminal. Sipas raportimit, atij i janë sekuestruar 29 prona, llogari bankare dhe asete të tjera. Mes tyre përmenden kompania “EA Solution” dhe një pjesë e “Equos Resort”.

